PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Ç’fëmijë është ky?

Armëpushimi i një nate të qetë, nate të shenjtë

24 Dhjetor 1914. Vigjilje Krisht-Lindjeje. Krejt papritur, një grup ushtarësh nga të dyja kampet e luftës, dolën nga trasetë, dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit. Përpara dhënies së duarve, nga të dyja llogoret ishin dëgjuar zërat e ushtarëve duke kënduar këngën e famshme të Krishtlindjes, “natë e qetë, natë e shenjtë”.

Ç’fëmijë është ky, kënga kushtuar të cilit nxjerr armiqtë nga fronti – qoftë edhe për disa orë? E nuk bëhet fjalë për një luftë dosido, por deri në atë ditë, numëroheshin rreth 1 milion njerëz të vrarë! Ç’fëmijë është ky pra, që i bën armiqtë miq?

Shikoni këtë video ilustruese të ngjarjes për të krijuar një ide.

Ç’fëmijë është ky, që përkujtohet me kaq madhështi anë e kënd botës, edhe në vende si Shqipëria, ku shumë pak madje njohin imtësitë e jetës së tij?

Ç’fëmijë është ky, që disa e duan aq sa janë gati të vdesin për të (po ta lypë nevoja!) e të tjerë e urrejnë aq sa i përndjekin edhe ndjekësit e tij (në disa raste!)?

Nuk mjaftojnë pak rrjeshta për ta përshkruar veçantinë e këtij personi, aq sa nuk mjaftonë vite të tëra për të kuptuar çdo detaj rreth tij. Por, le të përmendim disa arsye, se përse ky femijë, ka zënë vend në historinë e botës, dhe madhështia e tij nuk mund të zbehet…

Lindja e tij ishte e mrekullueshme

A lind njeriu pa baba? Nga një grua që nuk kishte prekur burrë? Shumë qeshin me këtë histori. Por lindja e Jezusit nga një e virgjër u bë lajm menjëherë – madje, përpara se të lindte Jezusi, që në momentin e ngjizjes në barkun e Marisë, gjithë bota filloi të flasë për të.

Por thjesht një mrekulli në lindje, nuk mjafton që dikush të përkujtohet për mijëra vite, prej miliona njerëzish.

Kur lindi, shumë njerëz u kujtuan për gjërat që kishin thënë profetët, “për atë që do të vinte në botë” – dhe këtyre njerëzve, detajet e lindjes së Jezusit u përngjasonin pikë për pikë parashikimeve, aq sa disa filluan të pyesin, “ç’fëmijë është ky, që përmbush gjithë këto profeci”?

Por thjesht përmbushja e shumë profecive nga ky fëmijë, nuk mjafton që dikush të përkujtohet për mijëra vite, prej miliona njerëzish.

Kur u bë 12 vjeç, ishte në gjendje të disktonte me dijetarët e kohës, aq sa edhe ata mahniteshin nga urtësia dhe njohuria e këtij të riu. Ç’fëmijë është ky, që mund të flasë me dijetarët në këtë mënyrë? (Luka 2:47)

Por thjesht aftësia për të biseduar me të urtët si i barabartë me ta, edhe pse në moshë të re, nuk mjafton që dikush të përkujtohet për mijëra vite, prej miliona njerëzish.

Kur ishte në të tridhjetat, filloi të bënte gjëra që askush tjetër nuk i kishte bërë më parë. Kush i jep dritë të verbërit, sikur ta ketë krijuar vetë dritën? Kush shëron të sëmurët sikur të mos kishte virus a lëngatë që ti bënte ballë? Kush mund ti fliste detit, e ti thoshte dallgëve pusho, dhe ato të pushonin, si një fëmijë që ka frikë nga zëri i të atit? Kush mund ti thoshte një të vdekuri dil nga varri, dhe i vdekuri ti bindej?

Të gjitha këto, e të tjera që nuk po i përmend, janë mrekulli – dhe unë jam skeptik ndaj mrekullive, por të gjitha këto na tregohen që kanë ndodhur në mes të njerëzve dhe jo në fshehtësi. Këto ngjarje kanë përmbysur krejtësisht jetët e njerëzve, e nuk ishin thjesht një iluzion çasti magjik…

Por thjesht të bërit të mrekullive, edhe pse janë mrekulli të papërsëritshme e të pangjasueshme me asnjë tjetër, përgjatë gjithë historisë së botës, prapë, nuk mjafton që dikush të përkujtohet për mijëra vite, prej miliona njerëzish.

Ai madje edhe u vra kur s’kishte asnjë faj. edhe ata që e vranë e dinin pafajësinë e tij! Madje edhe u ringjall prej së vdekurish, pasi e kishte parathënë vetë edhe këtë detaj. Edhe ky është një fakt i parefuzueshëm, sepse ka ndodhur publikisht e askush nuk ka dyshime për ngjarjen. (Është interesante të vësh re që ata që e kundërshtojnë vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, hedhin poshtë ndodhinë biblike, e cila na thuhet që ka ndodhur në sy të gjithë njerëzve, dhe pikërisht për të hedhur poshtë këtë ngjarje publike, theksojnë variante për të cilat nuk ka asnjë dëshmitar, e madje disa variante janë edhe mistike, e si të tilla, e përjashtojnë mundësinë e dëshmitarëve realë në ngjarje. A nuk iu duket paradoks?)

Megjithatë, as vdekja e ringjallja e tij, edhe pse do të rrëzonin çdo kritik, prapë, ngulmoj, nuk mjafton që dikush të përkujtohet për mijëra vite, prej miliona njerëzish.

Unë mendoj, që zanafilla e festës së këtij fëmije, është një domethënie, që i jep kuptim të gjitha aspekteve që përmenda më sipër: ky fëmijë, është Jezusi, vete plotësia e Perëndisë, që vendos, krejt në kundështim me çdo llogjikë të pritshme njerëzore, kur askujt nuk ia merrte mendja, të vijë në tokën që krijoi vetë, për tu bërë i ngjashëm porsi njeri, që të mund të tregojë botës, dashurinë e jashtëzakonshme të Perëndisë për bijtë e tij; të krijuesit për krijesat e tij, krijesa të cilët endeshin në përpjekjet e kota për ta kënaqur krijuesin duke kryer rite e detyra fetare, por në thelb, nuk ktheheshin dot në dashurinë e krijuesit.

Krijuesi vetë vendos të na vizitojë. Këtë dukuri po përpiqej apostulli Pal të ilustronte kur shkruajti:

“…në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.” (Filipianëve 2:6-11)

A nuk duket marrëzi ideja se Perëndia vetë na ka vizituar duke marrë trup njerëzor?

A nuk duket blasfemi?

Të “urtëve” të botës, atyre që e shtrijnë të kuptuarit aq sa iu arrin llogjika e tyre, iu duket marri. Çmenduri! Zoti në trup njeriu?

Fetarëve të botës ju duket blasfemi. Zoti, i shenjti, i kudondodhuri, i përsosuri të marrë natyrë njerëzore? Blasfemi!

“Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.” Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote? Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit, sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë; sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.” (I Korintasve 1:18-25)

Nëse ky fëmijë, është vetë Perëndia i mishëruar, “plotësia e Perëndisë” që na ka vizituar, atëherë ia vlen ti festohet jo vetëm ardhja e tij në tokë, por gjithë vepra e tij shpëtuese për ne; ia vlen të festohet njëherë në vit ardhja e tij, por më tepër, ia vlen të jetohet gjithë jetën duke ndjekur mësimet e tij. Ia vlen ta njohim dashurinë e Perëndisë përmes tij.

Nëse ky fëmijë, është ai që thotë Bibla që është, atëherë jo vetëm ia vlen të ndiqet e të besohet, por do të ishte “gafë” të mos e ndjekim e të mos e besojmë.

Sepse, siç e thotë apostulli Gjon, në ungjillin e tij

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.” (Gjoni 3:16-17)

Merr kohë sot, për të filluar një jetë të re, duke ndjekur këtë fëmijë, sepse ai është një “fëmijë” që ia vlen të festohet!

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP