PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Diçka-ja ka ekzistuar

Shënim: Ky artikull pason artikullin me titull S’ka ekzistuar kurrë asgjë?

I printueshëm në PDF

Nëse ka patur ndonjëherë “Absolutisht Asgjë”, edhe sot, përsëri “Absolutisht Asgjë” do të kishte. Duke qenë se ka diçka (ju, për shembull), kjo do të thotë se “Absolutisht Asgjë”-ja nuk ka ekzistuar kurrë. Nëse ka ekzistuar ndonjëherë, ju nuk do të ishit këtu duke lexuar në këto çaste. “Absolutisht Asgjë”-ja do të ishte këtu.

Pra, nuk ka patur kurrë një kohë kur të ketë ekzistuar “Absolutisht Asgjë”-ja. Prandaj, ka qenë gjithnjë “Diçka”.

Por çfarë është kjo “Diçka”-ja? Nëse i kthehemi fillimit, çfarë ishte “Diçka”-ja që duhet të ketë ekzistuar? A kishte më shumë (në numër) se një “Diçka” apo thjesht një të tillë? Dhe duke u bazuar në atë çfarë ekziston sot, si do të dukej kjo “Diçka”?

Së pari, le të shqyrtojmë çështjen e sasisë. Le të sjellim në mendje dhomën tonë të madhe, të zezë dhe të vulosur. Përfytyroni sikur ka dhjetë topa tenisi brenda dhomës. Për aq sa mund të kthehemi mbrapa në kohë, kemi vetëm këtë gjë: dhjetë topa tenisi.

Çfarë ndodh më pas? Le të themi se presim një vit të tërë. Çfarë ka në dhomë? Vetëm dhjetë topa tenisi, apo jo? Kjo, ngaqë nuk ekziston forcë tjetër, dhe ngaqë e dimë se dhjetë topa të zakonshëm tenisi, pavarësisht sa kohë kalon, nuk mund të pjellin topa të tjerë apo ndonjë gjë tjetër.

Dakord, po sikur të kishte gjashtë topa tenisi në dhomë, si fillim? A do ta ndryshonte kjo situatën? Jo, aspak. Mirë atëherë, po sikur të kishte një milion topa tenisi? Përsëri asnjë ndryshim. Pavarësisht se sa shumë janë, gjithçka që kemi futur në dhomë janë vetëm topa tenisi.

Ajo që zbulojmë pra, është se problemi nuk është sasia. Nëse i kthehemi fillesës së të gjitha gjërave, nuk është sasia e “Diçka’-je që duhet të ketë ekzistuar, ajo që ka rëndësi.

Le t’i ndërrojmë topat e tenisit me diçka tjetër. Tani brenda dhomës vëmë një zog pule. Presim një vit. Çfarë gjendet brenda dhomës? Vetëm një zog pule (më i rritur), apo jo? Po sikur të fillojmë me një pulë dhe një gjel në dhomë e të presim një vit, çfarë kemi? Shumë më tepër zogj pule!

Pra sasia është e rëndësishme, NËSE brenda dhomës gjenden të paktën dy gjëra të cilat mund të prodhojnë një gjë të tretë.

Pulë + gjel = zog pule. Por sasia nuk ka rëndësi nëse flasim për të paktën dy gjëra të cilat nuk mund të prodhojnë një gjë të tretë. Top tenisi + top futbolli = asgjë.

Çështja pra, nuk është aq te sasia sesa te cilësia. Çfarë cilësish zotëron “Diçka”-ja? A mund të sjellë gjëra të tjera në ekzistencë?

Le t’u kthehemi zogjve tanë të pulës, por le të jemi shumë të saktë, pasi e tillë do të ishte çështja qysh në fillim. Kemi një pulë dhe një gjel në dhomë. Ata janë në pjesë të ndryshme të dhomës, pezull në “asgjë”-në. A do të pjellin zogj të tjerë?

Jo. Pse? Sepse nuk ka asnjë mjedis ku të ndërveprojnë. Nuk ka asgjë në dhomë përveç pulës dhe gjelit. Nuk ka ajër për të marrë frymë apo për të fluturuar, nuk ka dysheme ku të ecin, nuk ka mjete jetese me të cilat të mund të jetojnë. Ata nuk mund të hanë, të ecin, të fluturojnë apo të marrin frymë. Mjedisi i tyre është “asgjë” e plotë.

Pra shpendët përjashtohen. Shpendët nuk mund të ekzistojnë ose të riprodhohen pa asnjë lloj mjedisi. Me ekzistencën e një mjedisi ndërveprues, ata mund të pjellin shpendë të tjerë, dhe me një mjedis që ndikon mbi ta, ndoshta, megjithëse duket absurde, ata mund të ndryshojnë në një lloj tjetër shpendi me kalimin e kohës. ‘Diçka’ në rrugën për t’u bërë kastor apo gjirafë.

Pra kemi një dhomë pa një mjedis. Prandaj, na duhet “Diçka” që mund të ekzistojë pa një mjedis. Diçka që nuk ka nevojë për ajër, ushqim, apo ujë për të ekzistuar. Kjo skualifikon çdo gjallese të momentit mbi tokë.

Po për gjërat jo-të gjalla, ç’mund të thuhet? At0 nuk kanë nevojë për një mjedis, kjo është e vërtetë. Por gjendemi në të njëtin telash si me topat e tenisit. Gjërat jo të gjalla nuk prodhojnë ndonjë gjë. Le të themi, se në vend të dhjetë topave të tenisit, ju keni tre miliardë molekula hidrogjeni. Atëherë çfarë ndodh? Me kalimin e kohës, ju keni ende tre miliardë molekula hidrogjeni, e asgjë më shumë.

Ndërsa flasim për jogjallesat, le të shqyrtojmë gjithashtu, se çfarë duhet që ato të ekzistojnë. Keni dëgjuar ndonjëherë për “Superpërplasësin”? Vite më parë u krye një eksperiment për të krijuar materien. “Superpërplasësi” ishte një tunel i nëndheshëm me kilometra e kilometra përmes të cilit, atomet do të udhëtonin me shpejtësinë e zërit dhe më pas do të përplaseshin me njëri-tjetrin, me qëllim që të krijonin një grimcë të vogël. E gjithë kjo, për pjesëzën më të vogël mikroskopike të materies.

Ç’na tregon kjo gjë? Se ilustrimi ynë i dhjetë topave të tenisit, nuk është aq i thjeshtë sa duket. Do të duhej një sasi e PAMATSHME energjie, thjesht për të prodhuar një top tenisi nga asgjëja. Dhe ajo çfarë kemi, është asgjëja. Dhoma nuk ka asgjë në të.

Këtu gjendemi. “Diçka”-ja që ekzistoi në fillim, duhet të jetë në gjendje të ekzistojë e pavarur nga diçka tjetër. Duhet të jetë tërësisht dhe plotësisht e vetëmjaftueshme. Sepse Ajo ishte e vetme që nga fillimi dhe Ajo nuk kishte nevojë për asnjë mjedis brenda të cilit të ekzistonte.

Së dyti, “Diçka”-ja që ekzistonte që në fillim, duhet të ketë aftësinë të prodhojë diçka ndryshe nga Vetja. Sepse, nëse nuk do të mundej, atëherë ajo “Diçka”, do të ishte gjithçka që do të ekzistonte sot. Por “Diçka Tjetër” ekziston sot. Ju, për shembull.

Së treti, të prodhosh “Diçka Tjetër” nga asgjëja, kërkon një sasi të pamatshme fuqie. Kështu, “Diçka”-ja duhet të ketë fuqi të madhe në dispozicion të vet. Nëse na kërkohen kilometra e kilometra korridor dhe energjia më e madhe që mund të ushtrojmë, thjesht për të prodhuar grimcën më të vogël, atëhere sa fuqi do të duhet për të prodhuar gjithë materien në univers?

Le t’i kthehemi dhomës sonë. Le të themi se kemi një top tenisi të veçantë brenda dhomës. Ai mund të prodhojë topa të tjerë tenisi. E ka këtë fuqi dhe energji të madhe. Dhe Ai është plotësisht i vetëmjaftueshëm, duke mos patur nevojë për asgjë tjetër që të ekzistojë, sepse Ai është gjithçka ekziston. Atëhere, Ai, topi i vetëm i tenisit, është “Diçkaja e Përjetshme”.

Le të themi se topi i tenisit prodhon një tjetër top tenisi. Cili nga këta dy topa do të jetë më i madh në lidhje me KOHËN? Topi #1. Ai është “Diçka-ja e Përjetshme”. Gjithnjë ka ekzistuar. Megjithatë, Topi #2, erdhi në ekzistencë kur u prodhua nga Topi #1. Kështu, njëri top është finit (i fundëm) përsa i përket kohës, kurse tjetri është infinit.

Cili nga të dy, do të jetë më i madh në lidhje me FUQINË? Sërish Topi #1. Ai ka aftësinë për të prodhuar Topin #2 nga asgjëja, që do të thotë gjithashtu, se ka aftësinë për të shkatërruar Topin #2. Kështu, Topi #1, ka më shumë fuqi se Topi #2. Në fakt, gjatë gjithë kohës, Topit #2 i duhet të varet nga Topi #1, pikërisht që të ekzistojë vetë ai.

Por ju thoni, po sikur Topi #1, t’i japë pak nga fuqia e tij Topit #2, fuqi të mjaftueshme sa për të shkatërruar Topin #1? Atëherë Topi #2 do të ishte më i madh, sepse Topi #1, do të ndalonte të ekzistonte, apo jo?

Ka një problem këtu. Nëse Topi #1, i jep pak nga fuqia e tij Topit #2, sërish kemi të bëjmë me fuqinë e Topit #1. Atëherë shtrohet pyetja: a do të mund ta përdorte Topi #1 fuqinë e tij për të shkatërruar veten? Jo. Para së gjithash, për të përdorur fuqinë e tij, Topi #1 duhet të ekzistojë.

Së dyti, Topi #1 është kaq i fuqishëm, aq sa çdo gjë që ka mundësi të bëhet, mund të bëhet nga Topi #1. Por nuk është e mundur që Topi #1 të pushojë së ekzistuari, prandaj, ai nuk mund ta realizojë këtë gjë.

Topi #1, nuk mund të shkatërrohet, sepse Topi #1 nuk u prodhua nga diçka tjetër. Topi #1 gjithnjë ka ekzistuar. Është “Diçka-ja e Përjetshme”. Si i tillë, është vetë ekzistenca. Është vetë jeta, jeta infinite. Që të shkatërrohet Topi #1, duhet të ekzistojë diçka më e madhe. Por asgjë nuk është më e madhe se Topi #1, as nuk do të mund të jetë. Ai ekziston pa ia patur nevojën asgjëje tjetër. Prandaj, nuk mund të ndryshohet nga ndonjë forcë e jashtme. Nuk mund të ketë asnjë fund, sepse nuk Ai nuk ka asnjë fillim. Është ashtu siç është dhe nuk mund të ndryshojë. Nuk mund të pushojë së ekzistuari, sepse TË QENIT (të ekzistuarit) është vetë natyra e tij. Në këtë kuptim, është i paprekshëm.

Ajo çfarë shohim është kjo: “Diçka”-ja e fillimit fare do të jetë gjithnjë më e madhe sesa “Diçka-ja Tjetër” që prodhon ajo. “Diçka”-ja ekziston në vetvete. “Diçka-ja Tjetër”, ka nevojë për “Diçka”-në që të ekzistojë. Prandaj, “Diçka-ja Tjetër” ka nevoja. Është më inferiore ndaj “Diçka”-së, dhe kështu do të jetë gjithnjë, sepse “Diçka-ja e Përjetshme”, nuk ka nevojën e një tjetre.

“Diçka”-ja mund të jetë në gjendje të prodhojë “Diçka Tjetër” që është njëlloj si Ajo në disa mënyra, por pavarësisht se çfarë, “Diçka-ja Tjetër” do të jetë gjithnjë ndryshe nga Ajo në disa mënyra të tjera. “Diçka-ja e Përjetshme” do të jetë gjithnjë më e madhe në lidhje me kohën dhe fuqinë. Kështu, “Diçka-ja e Përjetshme” nuk mund të prodhojë një “diçka” përpikmërisht të barabartë me Veten. Vetëm Ajo ka ekzistuar gjithnjë. Vetëm Ajo mund të ekzistojë e pavarur nga diçka tjetër.

A dëshironi të eksploroni më shumë për “Diçka-në e Përjetshme”? Lexoni artikullin Kush.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP