PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Perëndia është Elefant?

Shqyrtimi i argumentit filozofik të të Verbërve dhe Elefantit në filozofinë e fesë

përshtatur nga David A. Horner

I printueshëm në PDF

Ekziston një analogji e njohur që përdoret për të treguar se të gjitha fetë janë rrugë të vlefshme për të përshkruar Perëndinë. Profesorët e fesë e pëlqejnë në veçanti këtë analogji filozofike, sepse ajo i barazon të gjitha fetë duke i bërë të gjitha “të vërteta” në përshkrimin që i bëjnë Perëndisë.

Analogjia është kjo: janë katër të verbër që gjejnë një elefant. Meqënëse ata nuk kanë ndeshur kurrë më parë një elefant, ata kërkojnë me duar, duke u përpjekur ta kuptojnë dhe përshkruajnë këtë dukuri të re. Dikush kap feçkën dhe arrin në përfundimin se është gjarpër. Një tjetër eksploron një nga këmbët e elefantit dhe e përshkruan atë si pemë. Një i tretë gjen bishtin e elefantit dhe shpall se është litar. Dhe i katërti, pasi gjen ijen e elefantit arrin në përfundimin se është, në fund të fundit, një mur.

Secili në verbërinë e vet po përshkruan të njëjtën gjë: një elefant. Megjithatë secili e përshkruan të njëjtën gjë në një mënyrë rrënjësisht të ndryshme.

Sipas shumë njerëzve kjo është analoge me fetë e ndryshme të botës – ato përshkruajnë të njëjtën gjë në mënyra rrënjësisht të ndryshme. Prandaj mund të arrihet në përfundimin se asnjë fe individuale nuk e ka të vërtetën e plotë, por të gjitha duhen parë si të njëvlershme.

Ky është një imazh i fuqishëm dhe provokues, dhe patjetër që ka një grimë të vërtete.

Nëse Perëndia është i pafundëm dhe ne jemi të fundëm, është e arsyeshme të besojmë se asnjë prej nesh nuk mund ta kuptojë plotësisht natyrën e Tij. Por a e tregon kjo analogji filozofike të vërtetën se të gjitha fetë të çojnë te Perëndia? Për të arritur në këtë përfundim të duhet të anashkalosh disa pika…

Së pari, ekziston një fakt i çështjes: elefanti. Gjëja që të verbërit po përpiqen të përshkruajnë është në fakt elefant, jo diçka tjetër. Në të njëjtën mënyrë, ka disa çështje faktike në lidhje me Perëndinë. “A ekziston Perëndia?” është një pyetje fakti, si pyetja, “A ka qenë Abraham Linkolni ndonjëherë President i Shteteve të Bashkuara?” Nëse është e tillë është e vërtetë pavarësisht nëse e beson apo jo dikush, dhe ta mohosh atë gabohesh. Prandaj, jo të gjitha opinionet janë barazisht të vërteta, qofshin këto për elefantët apo për natyrën e Perëndisë.

Së dyti, të katër të verbërit në të vërtetë e kanë gabim. Objekti është elefant dhe jo mur apo litar apo pemë apo gjarpër. Opinionet e tyre nuk janë barazisht të vërteta – ato janë barazisht të rreme. Kjo analogji e pluralizmit fetar tregon në fund të fundit se të gjitha fetë janë të rreme, jo të vërteta.

E treta dhe më e rëndësishmja, kjo analogji filozofike nuk merr në konsideratë ndonjë lloj zbulese të veçantë. Nëse në atë skenë do të vinte një njeri i pestë, dikush që mund të shikonte (dhe që ishte në gjendje ta provonte këtë), dhe do ta përshkruante elefantin si elefant, kjo do ta ndryshonte krejt analogjinë.

Jezu Krishti, unik midis gjithë udhëheqësve fetarë në gjithë historinë, shpalli se ishte një njeri i tillë “i pestë,” një zbulesë përfundimtare e Perëndisë. Shumë prej njerëzve që i panë mrekullitë e Jezusit dhe dëgjuan fjalët e Tij u skandalizuan nga deklaratat e Tij të qarta në lidhje me hyjnishmërinë e Tij. “Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.”1

Jezusi, megjithatë, na ftoi të besojmë tek Ai nëse duam që kërkimi ynë për Perëndinë të marrë përgjigjien e duhur… “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë kurrë etje.”2

Doni të shikoni prova që Jezusi është vërtet “njeriu i pestë”? Shihni artikullin kryesor Përtej besimit të verbër.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

(1) Gjoni 5:18
(2) Gjoni 6:35

TREGOJUA MIQVE:  

TOP