PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Përralla dhe Shenja e Krisht-Lindjes

Përrallat

Përpara se të lexoni më tej, le të përkufizojmë fjalën “përralla”. Përrallat janë tregime popullore rreth ngjarjeve imagjinare. Ose histori që kanë ndodhur dhe kanë një mesazh të mirë, por që nuk janë krejtësisht të vërteta.1 Me një fjalë: përrallat janë përralla!

Me këtë përkufizim në mendje, le të sqarojmë pak përrallën e Krishtlindjes.

Përralla e Krisht-Lindjes

Sipas përrallës, të krishterët e shekujve të parë, donin të festonin ditëlindjen e Jezusit sepse mendonin që kjo ngjarje ishte e rëndësishme për besimin e tyre. Këta besimtarë të devotshëm ditëlindjesh, nuk u mbështetën shumë tek teksti biblik rreth lindjes së Krishtit, sepse ajo ishte e mangët në ca aspekte, sidomos në lidhje me datën e saktë të lindjes së tij. Në këto rrethana, doli në pah nevoja për të gjetur një datë të përshtatshme për ditëlindjen. Pas kërkimesh u gjet një ide: pse të mos caktohej 25 Dhjetori si data e lindjes së Krishtit? Me këtë rast, edhe paganëve iu prisheshin planet për festën e tyre të adhurimit të diellit. Me një gur vriteshin dy zogj: të krishterët kishin një datë për lindjen e Krishtit, kurse paganët shpëtonin nga adhurimi i diellit. Fundja, ç’nevojë kishte dielli për adhurim? Dhe për ta bërë më të bukur atmosferën (se festat duan atmosferë, që të jemi të sinqertë!), rrugës së shekujve u shtuan pema e Krishtlindjes, dritat, skulptura të Jezusit e të Maries, në majë të pemës u vendos ylli, në përkujtim të yllit që na tregon rrugën e duhur, muzikë festive Krishtlindje ku lavdërohej atmosfera rreth zjarrit bubulak, ku piqeshin gështenja, dhe refrene si “All I want for Christmas is You!” (Gjithçka dua për Krishtlindje je Ti!)… përveç dhuratave! Pa dhurata është e vështirë ta shprehësh dashurinë. U ndërtua një festë e bukur harmonie e dashurie që përkujtohet edhe sot! Dhe të gjithë jetuan të lumtur e të gëzuar prej atëherë!

Mua më pëlqejnë përrallat. Ato ilustrojnë të vërteta të jetës përmes ilustrimeve që i ndërtojmë pikërisht, sepse duam të transmetojmë një mesazh. Ia vlen t’i themi njëri-tjetrit përralla!

Tragjedia

Por s’ka teprim të themi që është tragjedia e zemrës njerëzore refuzimi i një të vërtete, sepse nuk na pëlqen, a se nuk kemi durimin për ta dëgjuar deri në fund, a se nuk kemi nervat për ta shqyrtuar ashtu si duhet, dhe krejt në të kundërt, e marrim një përrallë dhe e besojmë sikur të jetë e vërtetë!

Historia e Vërtetë e Krishtlindjes

Dhe historia e vërtetë e Krishtlindjes – jo përralla e përmendur në fillim të këtij artikulli – është historia që tronditi botën me mesazhin e saj, që nga koha kur ndodhi. Ngjarja e vërtetë e lindjes së Krishtit, e shpjeguar me një thjeshtësi dramatike nga Luka në librin që shkroi rreth Jezusit është kjo:

“Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë. Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë. Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.” Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!.” Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti.” Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd. Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë. Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj. Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.” (Luka 2:1-20).

Kjo është ngjarja. Kjo lindje, ndryshe nga të tjerat, ra në sy sepse Maria, nëna e Jezusit tha që kishte ngelur shtatzanë kur ende ishte e virgjër, sepse disa barinj panë engjëj që lajmëruan lindjen e fëmijës, disa dijetarë të panjohur ndoqën një yll për të gjetur vendin e lindjes, të urtët e oborrit të mbretit Herod e dinin emrin e fshatit të lindjes për shkak të një profecie të vjetër që përmendte Betlehemin, vetë Mbreti Herod u hidhërua kaq shumë nga lindja e këtij të rivali të mundshëm sa që vendosi të vrasë të gjithë fëmijët e asaj zone, me qëllim që ta zhdukte këtë mbret të ardhshëm.

Çfarë është “shenja?”

Vini re në tekstin biblik frazën “kjo do t’ju vlejë si shenjë”. Ideja e shenjës në disa kontekste biblike ka kuptimin që “shenja” do të na tregojë një të vërtetë më të madhe. Lindja e Jezusit nga një e virgjër nuk ishte thjesht një gjest për të treguar madhështinë e Zotit, por gjithashtu ishte një “shenjë” nga Zoti për të na treguar që fëmija që do të lindë do të jetë i veçantë.

Cila është veçantia e fëmijës?

Kur Jezusi udhëtonte nëpër Izraelin e asaj kohe duke ju treguar njerëzve për Perëndinë e për veten, disa herë njerëzit e pyesnin: “A je ti Shpëtimtari? A je ti Mbreti që duhet të vijë? A je ti Mesia?”

Dhe Jezusi u përgjigj. Përgjigja e tij më e plotë dhe përfundimtare ishte vajtja e tij drejt vdekjes dhe pastaj ringjallja e tij ditën e tretë. Pikërisht, ringjallja e Tij!

Meqë ra fjala, edhe Ringjallja është një ngjarje historike që mund të vërtetohet dhe të dalë kështu, jashtë kategorisë së përrallave!

Dhe të krishterët e shekujve të parë nuk e festonin Krishtlindjen, jo sepse nuk donin të festonin për lindjen e Krishtit, por sepse ishin aq shumë të fokusuar te vërtetimi i hyjnisë së Jezusit përmes vdekjes dhe ringjalljes, sa që lindja e tij doli në plan të dytë. A nuk ishte lindja thjesht një shenjë, që të na tregojë të vërteta më të mëdha sesa thjesht lindja e tij?

Megjithëse ka prova për të argumentuar që Krishti vërtet ka lindur në datën 25 Dhjetor, megjithëse ka gjasa që paganët kishin një festë të tyre rreth asaj dite, por më vonë hoqën dorë sepse e kuptuan që dielli s’ka nevojë për adhurim, megjithëse është e vërtetë që disa prej dekorimeve të Krishtlindjes janë shtuar më vonë gjatë historisë së botës, prapëseprapë, të gjitha këto së bashku, nuk e “zbusin” të vërtetën e madhe të Krishtlindjes. Në fjalët e një teologu të shekullit të dytë: “Ndaj edhe Zoti vetë na dha një shenjë… një shenjë të cilën njeriu nuk e kërkoi, sepse njeriu nuk do t’ia merrte mendja që një e virgjër do të ngelte shtatzënë… dhe që fëmija që do të lindte do të ishte “Zoti me ne”2

Krisht-Lindja si shenjë e diçkaje më të madhe?

Krishtlindja nuk festohet thjesht ngaqë ka lindur Krishti. Krishtlindja është një “shenjë” që na tregon se Zoti, Krijuesi i gjithpushtetshëm i gjithësisë ndërhyri në botën që e krijoi vetë, duke sjellë vetveten në Krishtin, që të na vizitojë e të na shpëtojë. Jemi zënë në befasi nga “shenja”. Zoti ka vendosur të na shpëtojë njëherë e mirë nga e keqja e zemrës sonë!

Perëndia i Universit na ka vizituar si një foshnje, që të na japë dashuri, dritë dhe shpresë. Krishtlindja është dhurata e Perëndisë dhe shprehja e dëshirës së Zotit që ti ta njohësh Atë personalisht e të kesh kuptim në jetë.

Zgjedhja jote: Përralla apo Shenja?

Zgjedhjet nuk na pëlqejnë herë pas herë. Por nuk ka shumë alternativa: ose do të vazhdosh të jetosh “përrallën” e gënjeshtërt të një sezoni plot me argëtim, drita, zbukurime, festa në pub e gjithandej, duke jetuar një periudhë tjetër sa për ta shtyrë veten deri në janar, ose të shqyrtosh vërtetësinë e ardhjes së një “shenje” nga Zoti për ty.

Po sikur ai vërtet të ketë ardhur në botën që e krijoi vetë, në mënyrë që ti të kesh mundësi ta njohësh Krijuesin tënd, edhe ta ndjekësh atë me gjithë zemër në gjithë ditët e jetës tënde (jo vetëm në Dhjetor)? Po sikur të të ketë kaluar përpara “shenja”, por ti nuk e vure re, sepse ishe fokusuar në diskutime pa bukë në lidhje me origjinën e datës, në lidhje me festa pagane pa kuptim, në lidhje me faktin që kjo histori s’të përket ty e ndaj e lë gjithmonë mënjanë? Po sikur Zoti i gjithësisë të na ketë vizituar e të na ketë dhënë këtë shenjë vërtet?

Të krishterët e hershëm nuk e festuan shumë Krisht-Lindjen sepse ata ishin të fokusuar te thelbi i “shenjës” më shumë sesa festa rreth shenjës.

Ndaj kënaquni me dhuratat por mos harroni dhuratën e Lindjes së Krishtit!

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

(1) http://www.merriam-webster.com/dictionary/tale, e klikuar në 16 Dhjetor 2013.
(2) https://www.christiancourier.com/articles/461-did-isaiah-prophesy-the-virgin-birth-of-christ, e klikuar në 20 Dhjetor 2013

TREGOJUA MIQVE:  

TOP