PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Pastaj?

Jeta sot. Jeta nesër. Jeta pas vdekjes?

I printueshëm në PDF

Sot ti je në universitet. Diku midis moshës 18-24. Po pastaj?

Ti diplomohesh, gjen një punë, martohesh, bëhesh me fëmijë, ndërron ndoshta disa punë të tjera. Ble një shtëpi. Në rregull, po pastaj?

Ti shkon në ndeshje futbolli bashkë me fëmijët e tu.Ti përpiqesh të jesh një baba dhe bashkëshort i mirë. Ti shikon fëmijët e tu që janë maturantë tashmë edhe pse vetëm dje ishin me pelena. Ti bën dhe thua gjëra që prindërit e tu kanë thënë e kanë bërë, megjithëse ishe betuar se nuk do t’i bëje kurrë.

Ti kalon njady kriza të mesit të jetës. Fëmijët e tu diplomohen nga universiteti. Ti je bërë gjysh ose gjyshe tani. Dikush të thërret gjysh ose gjyshe.Ti e jeton jetën me nge me të ardhurat e pensionit.Ti çdo mëngjes bën shëtitje.Ti punon kopshtin.Ti lexon gazetën dhe shikon TV. Ti flet në telefon me fëmijët, nipërit e mbesat. Ti shpesh udhëton.

Në rregull, po pastaj?

Mirë pra, po pastaj një ditë ti vdes. Nëse je me fat, do jetosh një jetë të gjatë, shtatëdhjetë deri nëntëdhjetë vjeç, nëse nuk merresh përpara kohe nga kanceri ose nga ndonjë aksident rrugor. Por sidoqoftë, më në fund vdes. Vdekja është e Nesërmja që na pret të gjithëve, e pashmangshmja, që asnjë njeri nuk i shpëton dot.

Po kjo na qenka e gjitha? A ka diçka më shumë?

Një ditë ti do jesh vetëm një kufomë.Të tjerët do ta varrosin trupin tënd në tokë ose do ta djegin dhe do ta mbledhin hirin në një urnë. Por pyetja e madhe është, A do të pushoj së ekzistuari ? A do ketë një UNË të vetëdijshëm diku? A ka në të vërtetë jetë pas vdekjes?

Në të vërtetë ndoshta ne të gjithë shpresojmë se ka diçka që vjen më pas. Ndoshta në skutat më të fshehta të mendjeve tona, ne presim që të ketë diçka. Po çfarë po presim? Një lloj jete pas vdekjes. Disa e quajnë atë parajsë, disa qiell. Kurse disa të tjerë flasin për ferrin.

Një tjetër mendim që shumë prej njerëzve e kanë të ngulitur gjatë gjithë jetës, shpesh edhe në ndërgjegjen e tyre është ky: Unë jam njeri i mirë, prandaj mendoj se do të shkoj në parajsë një ditë.

Disa njerëz mendojnë se janë “mjaft të mirë” për të shkuar në parajsë. Është një gjë që e marrim si të mirëqenë. Nëse nuk kemi vjedhur ndonjë bankë, nëse nuk kemi vrarë njeri, nëse nuk kemi mashtruar me taksat, ne mendojmë që jemi tamam njerëzit që Perëndia po kërkon për të mbushur shtëpinë e Tij. Për atë Zot, jemi mjaft të mirë.

Në biletarinë e qiellit ne e blemë biletën duke qenë njerëz në përgjithësi të mirë gjithë jetën tonë.

Po sikur ky mendim të jete i gabuar? ATËHERË çfarë? Çfarë gabimi do të ishte ai! Çfarë dështimi!

Nëse mendon se je mjaft i mirë sa për në parajsë, duhet të marrësh parasysh dy gjëra:

(1) Nëse parajsa është një vend përsosmërie1, si mund të jetë mjaft i mirë ndonjëri?

Shumica prej nesh do të thoshin se kemi një “skelet në dollap.” Të paktën një. Diçka për të cilën shpresojmë të mos e marrë vesh njeri. Një gabim në të shkuarën. Një vendim i keq. Një çast dobësie ose budallallëku që më mirë të mos e kujtojmë.

Ky është një ekstrem. Por ka shumë gjëra të tjera të zakonshme që bëjmë, por që nuk duam që të tjerët t’i dinë. Këto mund të jenë ato “gënjeshtrat e bardha” ose gënjeshtra pa zarar që i quajmë ne. Ose thashethemet që bëjmë për njëri-tjetrin. Ose kur kopjojmë në klasë nga shoku i bankës. Ose fjalët e këqija që themi për të tjerët, ose mendimet e këqia që kemi për të tjerët në mendjet tona.

Më shumë sesa një rast i shkëputur për të cilin na vjen keq, jetët tona po t’i ekzaminosh me kujdes, tregojnë një model gabimesh që përsëriten. Ne shpesh nuk bëjmë atë që besojmë se është e drejtë. Ne shpesh bëjmë atë që besojmë se është e gabuar.

Të gjithë ne, përfshirë këtu edhe ata njerëz që i quajmë në përgjithësi të mirë, jemi gjithashtu edhe në përgjithësi egoistë dhe në përgjithësi shumë të papërsosur2.

Çdo gjë që bëjmë shihet nga Perëndia3. Kjo do të thotë që Atij nuk ia hedhim dot. Ai është plotësisht në dijeni të të gjitha të mirave që nuk i kemi bërë (por që mund t’i kishim bërë) dhe të të gjitha të këqiave që i kemi bërë. Ai madje di edhe gjithë mendimet dhe motivet tona.

Ja dhe gjëja e dytë për t’u patur parasysh nëse mendojmë se jemi “mjaft të mirë” për parajsën:

(2) A është e mundur të jesh në përgjithësi njeri i mirë dhe prapë ta kesh refuzuar Perëndinë?

Të shikojmë Ralfin. Ai është njeri i “mirë.” Ai ka qenë i ndershëm në punën e tij. Kurrë nuk vodhi as edhe një majë gjilpëre. Ishte baba dhe bashkëshort besnik. Siguroi për fëmijët e tij, madje edhe bëri sakrifica për ta dhe për gruan e tij (të cilës i qëndroi besnik gjithë jetën). Ai madje dha para për shumë vepra bamirësie gjithë jetën e vet.

Por Ralfi, megjithëse i mirë në një kuptim, asnjëherë nuk e lejoi Perëndinë të “hynte brenda.” Shumë herë në jetën e tij Ralfi e ndjeu dëshirën e Perëndisë për të hyrë në jetën e tij. Ishte sikur Perëndia po trokiste në derën e zemrës së Ralfit. Por Ralfi kurrë nuk e hapi atë derë. Gjithmonë gjente një justifikim që të mos e hapte. Për ironi, një nga justifikimet e përsëritura ishte, Unë kam qenë njeri i mirë gjithë jetën time. Unë do të shkoj në parajsë.

Ralfi donte të shkonte në parajsë. Të gjithë duan. Por në të vërtetë Ralfi nuk donte ta njihte Perëndinë. Dhe ai nuk ndaloi për të analizuar rrjedhojat e mëdha të atij vendimi (vendimit për ta lënë Perëndinë jashtë.)

Mendoni pak. Parajsa është shtëpia e Perëndisë. Nëse Ralfi nuk donte ta njihte Perëndinë gjatë jetës së tij në tokë, pse do të donte ta njihte Perëndinë në jetën tjetër? Me fjalë të tjera, ajo që Ralfi nuk e mori parasysh ishte se sa shumë do ta MOSPËLQENTE parajsën.

Parajsa është një vend ku Perëndia është shumë i pranishëm. Ka të ngjarë që çdo aspekt i parajsës do ta kujtonte vazhdimisht dikë që është atje për Perëndinë. Çfarë vend i tmerrshëm për Ralfin!

Ralfi gjithmonë e mendonte parajsën si një vend shumë të rehatshëm, por ai kurrë nuk mendoi sa i parehatshëm do të ishte për të, meqenëse ai nuk donte ta njihte Perëndinë apo të kishte marrëdhënie me Të. Për Ralfin, parajsa nuk do të ishte parajsë, por ferr.

A do ta lije dikë të hynte në shtëpinë tënde po ta dije se ai nuk do të donte të kishte të bënte fare me ty? Nëse do ta dije se ngado që të kthehej ai, do të kujtohej për ty?

Shumë njerëz janë si Ralfi. Ata e duan parajsën, por nuk duan Perëndinë. Dhe nuk e kuptojnë që, nën këto rrethana, parajsa do të ishte një vend i tmerrshëm për ta.

Ndoshta e vërteta e çështjes është që parajsa është për njerëz që e dinë se nuk janë mjaft të mirë për të qenë atje, por megjithatë duan të jenë atje vetëm e vetëm sepse atje është Perëndia. Ata duan ta njohin Perëndinë dhe të jenë me Të përgjithmonë. Shpërblimi i jetës pas vdekjes nuk është parajsa, por, në fakt, Banori i saj Kryesor.

A dëshiron ta njohësh Perëndinë? A do të mësosh si të bëhesh “mjaft i mirë” për parajsën? Shih A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ?

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

(1) “Dhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër.” (Bibla, Zbulesa 21:27)
(2) ” Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.” (Luka 18:19); gjithashtu: Isaia 53:6, Romakëve 3:10, Romakëve 3:23, Jakobi 2:10
(3) “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij të cilit ne do t’i japim llogari.” (Hebrenjve 4:13); gjithashtu: Mateu 10:26, 1Korintasve 4:5

TREGOJUA MIQVE:  

TOP