PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Çfarë ke të përbashkët me Perëndinë

Çfarë do të thotë që jemi krijuar në ngjashmëri me Perëndinë?

I printueshëm në PDF

Nëse dëgjon nga afër bisedat e njerëzve, vë re diçka menjëherë: njerëzit kërkojnë për gjëra të përbashkëta. Imagjino dy të panjohur ulur afër njëri-tjetrit në avion. Biseda mund të duket pak a shumë kështu:

“Ah, këta avionët. Nuk më pëlqen fare fluturimi!”

“As mua. Udhëtoj shpesh, por nuk mësohem kurrë.”

“Po shkon në Baltimore për punë?”

“Jo, kam njerëz atje. Po shkoj të takoj disa të afërm.”

“Edhe unë kam njerëz atje. Mos je rritur në Baltimore?”

“Po.”

“Edhe unë.”

Kur bisedojmë, kërkojmë për tema të përbashkëta, për gjëra që na lidhin. Kur nuk i gjejmë themi, “s’kemi për çfarë të flasim,” ose fillojmë e flasim për motin (që është patjetër një gjë e përbashkët).

Është më e lehtë të lidhemi me njerëzit kur kemi gjëra të përbashkëta me ta. Si njerëz, ne lidhemi më mirë me një qenie tjetër njerëzore sesa me një gur apo pemë. Për shkak të ndryshimeve të mëdha midis nesh dhe bimëve, nuk ka ndonjë nivel në të cilin të lidhemi. Kjo mund të duket si marrëzi, por është një dukuri e qartë në jetën tonë.

Diçka tjetër për t’u vënë re: sa më shumë ngjashmëri kemi me njëri-tjetrin, aq më mirë mund të lidhemi. Megjithëse nuk mund të lidhemi mirë me një bimë, mund të lidhemi më mirë me një kafshë. Pse? Sepse kafshët kanë më shumë ngjashmëri me njerëzit sesa bimët. Sa më shumë ngjashmëri midis dy palëve, aq më e madhe është mundësia e lidhjes dhe aq më i lartë niveli i lidhjes.

Ndoshta kjo dukuri shpjegon diçka që e vëmë re në librin e parë të Biblës. Aty shohim se Perëndia e krijoi njeriun “në shembëlltyrën e Tij.” Asgjë tjetër përveç njerëzve nuk është krijuar në ngjashmëri me Të.

Çfarë do të thotë që jemi krijuar në ngjashmëri me Perëndinë? Ndoshta është mënyra si na ka dizenjuar që të kemi disa nga cilësitë që Ai ka. Megjithëse patjetër në një shkallë më të ulët, edhe ne mund të arsyetojmë, ndjejmë, komunikojmë me fjalë, krijojmë, imagjinojmë, lëndohemi, gëzohemi, kuptojmë humorin. Dhe, ashtu si Perëndia, edhe ne kemi një aspekt unik jomaterial – një shpirt. Dhe kemi vetëdije – “Unë mendoj; prandaj jam.”

Nga shumë gjëra duket se Perëndia na krijoi si versione të fundme të Vetes së Tij të pafundme. Kjo duhet të na tregojë diçka për qëllimin e Tij: dmth, që Ai dëshiron të lidhet me ne. Mendoni këtë: ju me gjithë tiparet tuaja unike, aftësitë dhe emocionet dhe imagjinatën jeni si një tabelë e madhe që ilustron cilësi që janë minishembuj të qenies dhe karakterit të Perëndisë. Ai na dizenjoi që të kemi lidhje me Të dhe ju jeni prova. Në fakt, të gjithë jemi prova. Megjithëse çdo qenie njerëzore është unike (gjë që përbën një mrekulli në vetvete), ne të gjithë jemi në ngjashmëri me Perëndinë.

Dhe të qenit njerëz na vendos në një pozicion unik për të adhuruar Perëndinë. Mendoni pak. Kur keni parë ndonjë tufë kafshësh duke mbajtur një ceremoni fetare? Kafshët nuk adhurojnë. Por në çdo hap të historisë njerëzore, dhe në çdo vend të botës njerëzit janë përfshirë në një formë adhurimi apo në një tjetër. Ndoshta kjo ndodh sepse jemi krijuar në shembëlltyrën e Perëndisë, në ngjashmëri me Të. Diçka brenda nesh e di që jeta ka një element shpirtëror, dhe që Perëndia duhet të ketë vend në jetën tonë.

Për të mësuar më shumë në lidhje me një marrëdhënie me Perëndinë shih A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ? ose lexo librin e Gjonit në Bibël.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP