PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Përse jeta është kaq e vështirë?

I printueshëm në PDF

Pse sëmuren njerëzit me kancer? Pse bien tërmete që shkatërrojnë qytete të tëra? Pse njerëzve iu duhet të punojnë shumë dhe mezi të fitojnë sa për të mbajtur familjet?

Në mënyrë të pavetëdijshme ne i bëjmë shpesh këto pyetje, por me vetëdije rrallë. Sepse jemi aq të zënë duke jetuar jetën saqë rrallë ndalojmë të pyesim PSE?

Por pastaj diçka ndodh dhe na zgjon nga gjumi. Prindërit tanë divorcohen. Vajza e vogël rrëmbehet në rrugë. Një i afërm zbulon se ka kancer. Kjo na përmend për pak. Por shpesh ne biem përsëri në mohim. Dmth derisa të na godasë një tragjedi tjetër, një tjetër mospërputhje. Atëherë mbase mendojmë, Diçka nuk shkon këtu. Diçka vërtet nuk shkon. Jeta nuk duhet të ishte kështu!

PSE pra, ndodhin gjërat e këqia? PSE bota nuk është më e mirë?

Ka një përgjigjie për pyetjen PSE, dhe ajo gjendet në Bibël. Por nuk është përgjigjia që shumica e njerëzve janë gati të dëgjojnë: bota është kështu siç është sepse, në njëfarë mënyre, vetë e kemi zgjedhur.

Duket e çuditshme?

Çfarë, ose kush mund ta bëjë këtë botë ndryshe nga ç’është? Çfarë, ose kush mund të garantojë një jetë pa dhimbje për të gjithë njerëzit, përgjithmonë?

Perëndia. Perëndia mund ta bëjë këtë, por nuk e bën. Të paktën jo tani për tani. Dhe si rezultat ne inatosemi me Të. Ne themi, “Perëndia s’mund të jetë i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdashur. Po të ishte, bota nuk do të ishte kështu!”

Ne e themi këtë duke shpresuar që Perëndia do të ndryshojë qëndrim në lidhje me këtë çështje. Shpresa jonë është që duke i vënë Atij një ndjenjë faji do ta bëjmë të ndryshojë mënyrën si i bën gjërat.

Po Ai duket se nuk lëviz nga vendi. PSE?

Perëndia nuk lëviz nga vendi–Ai nuk i ndryshon gjërat tani–sepse Ai po na jep ne atë që kërkuam: një botë ku ne mund ta trajtojmë Atë sikur nuk është ose është i panevojshëm.

Ju kujtohet historia e Adamit dhe Evës? Ata hëngrën “frutin e ndaluar.” Ai frut ishte ideja që ata mund ta injoronin atë që Perëndia tha apo u dha atyre dhe të nisnin një jetë pa Perëndinë. Sepse Adami dhe Eva shpresonin që mund të bëheshin si Perëndia, pa Perëndinë. Ata e vunë në jetë nocionin që ekziston diçka më e vlefshme se vetë Perëndia, diçka më e vlefshme sesa pasja e një marrëdhënieje personale me Perëndinë. Dhe ky sistem botëror–me gjithë të metat e tij–erdhi si rezultat i zgjedhjes që ata bënë.

Historia e tyre është historia e ne të gjithëve, apo jo? Kush nuk ka thënë–në mos me zë të paktën në zemër–Perëndi, unë mendoj se mund të bëj pa ty.Shumë falemnderit, po do të eci vetë.

Ne të gjithë jemi përpjekur të jetojmë pa Perëndinë. Pse e bëjmë këtë? Ndoshta sepse të gjithë e kemi gëlltitur nocionin se ka diçka më të vlefshme, më të rëndësishme se Perëndia. Për njerëz të ndryshëm është diçka e ndryshme, por mentaliteti është i njëjtë: Perëndia nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Unë mund t’ia dal fare mirë pa Të.

Cila është përgjigjia e Perëndisë ndaj kësaj?

Ai e lejon. Shumë njerëz përjetojnë rezultatet e dhimbshme të zgjedhjeve të tyre ose të të tjerëve që janë në kundërshtim me rrugët e Perëndisë…vrasje, abuzim seksual, lakmi, mashtrim, shpifje, tradhti bashkëshortore, rrëmbim personi, etj. Të gjitha këto mund të shpjegohen me refuzimin e njerëzve që i bëjnë këto gjëra për t’i lënë Perëndisë vend dhe ndikim në jetët e tyre. Ata e jetojnë jetën si të duan, dhe ata vetë dhe të tjerë vuajnë.

Cila është pikëpamja e Perëndisë mbi gjithë këtë? Ai nuk është i kënaqur. Në fakt, me të drejtë Perëndia mund të shikohet si i përkulur drejt nesh me dhembshuri, duke shpresuar se do të kthehemi tek Ai dhe Ai të na japë jetë të vërtetë. Jezusi tha, “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”1 Por jo të gjithë janë gati të shkojnë tek Ai. Jezusi foli për këtë kur tha: “Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!”2 Përsëri Jezusi ngre çështjen e marrëdhënies me Të. “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”3

Po kur jeta është e padrejtë? Po kur ato rrethana të tmerrshme që na godasin në jetë shkaktohen nga dikush tjetër? Kur ndihemi si viktima është me vlerë të kujtojmë se edhe Perëndia vetë duroi një trajtim të tmerrshëm nga të tjerët. Perëndia e kupton plotësisht se çfarë po kalon ti.

Në këtë jetë s’ka asgjë më të dhimbshme se ajo që Jezusi duroi në vendin tonë, kur u braktis nga miqtë, u përqesh nga ata që nuk i besonin, u rrah dhe u torturua para kryqëzimit, pastaj u mbërthye në kryq duke u bërë objekt turpi para të gjithëve, dhe vdiq nga mbytja e ngadaltë. Ai na krijoi, megjithatë ua lejoi njerëzve lirinë ta bënin këtë, për të përmbushur Shkrimin dhe për të na çliruar nga mëkati. Kjo nuk ishte e papritur për Jezusin. Ai ishte tërësisht në dijeni të asaj që po vinte, duke i paranjohur të gjitha hollësitë, gjithë dhimbjen, gjithë poshtërimin. “Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre: “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve , dhe ata do ta dënojnë me vdekje. Do ta dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”4

Imagjino sikur ta dije se diçka e tillë do të të ndodhte ty. Jezusi e kupton ankthin psikologjik dhe emocional. Natën që e dinte se do ta arrestonin Jezusi shkoi të lutej, dhe mori disa miq me vete. “Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua”. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”5

Megjithëse Jezusi iu tregoi tre miqve të tij, ata nuk ia kuptonin thellësinë e ankthit, dhe kur Jezusi u kthye nga lutja i gjeti në gjumë. Jezusi e di ç’do të thotë të kalosh përmes dhimbjes dhe trishtimit të thellë i vetëm.
Kjo është një përmbledhje e kësaj ashtu siç e përshkruan Gjoni në ungjillin e tij: “Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.”6 “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet me anë të Tij.”7

Nuk ka diskutim që në këtë botë ka dhimbje dhe vuajtje të mëdha. Një pjesë e tyre shpjegohet nga veprimet egoiste dhe të urryera të të tjerëve. Një pjesë duket sikur nuk mund të shpjegohet në këtë jetë. Por Perëndia na ofron veten e Tij. Perëndia na lejon të dimë se edhe Ai ka duruar dhe është në dijeni të dhimbjes dhe nevojave tona. Jezusi u tha dishepujve, “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time; unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”8 Arsye për t’u tronditur dhe frikësuar ka mjaft, por Perëndia mund të na japë paqen e Tij, që është më e madhe se problemi para nesh. Ai është në fund të fundit, Perëndia, Krijuesi, Ai që ka ekzistuar përgjithmonë, Ai që krijoi gjithësinë me një lëvizje të dorës.

Me gjithë pushtetin e Tij, Ai është edhe Ai që na njeh në mënyrë intime, edhe në detajet më të vogla. Dhe nëse ne ia besojmë Atij jetën tonë, mbështetemi tek Ai, edhe kur të ndeshim vështirësi, Ai do të na mbajë fort. Jezusi tha, “Jua kam thënë këto gjëra që ta keni paqen në mua; në këtë botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”9 Ai përjetoi edhe atë që është kërcënimi më i madh për ne–vdekjen–dhe e mundi. Ai është në gjendje të na mbajë në rrethanat më të vështira të jetës dhe të na çojë në jetën e përjetshme, nëse i besojmë.

Ne mund ta jetojmë këtë jetë me ose pa Perëndinë. Jezusi u lut, “O Atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se Ti më ke dërguar. Dhe unë i kam bërë të njohin emrin Tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria me të cilën Ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”10

Për të mësuar si të filloni një marrëdhënie me Perëndinë, ju lutemi shikoni A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ?

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

(1) Mateu 11:28 (2) Mateu 23:37 (3) Gjoni 8:12 (4) Mateu 20:17-19 (5) Mateu 26:37-39 (6) Gjoni 1:10-12 (7) Gjoni 3:17,16 (8) Gjoni 14:27 (9) Gjoni 16:33 (10) Gjoni 17:25,26

TREGOJUA MIQVE:  

TOP