PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Kush është Shpirti i Shenjtë?

Pyetje: “Kush ose çfarë është Shpirti i Shenjtë? E kam parë këtë emër/frazë në site-in tuaj në disa vende.”

Përgjigjia jonë: Shpirti i Shenjtë (ose Fryma e Shenjtë) është një person i vërtetë që erdhi të banojë brenda ndjekësve të vërtetë të Jezu Krishtit pasi Jezui u ngjall së vdekuri dhe u ngjit në qiell (Veprat e Apostujve 2). Jezui iu tha apostujve të Tij…

“Unë do t’i lutem Atit, dhe Ai do t’ju dërgojë një Ngushëllues (Ndihmës) tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju; Frymën e së vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh, por ju e njihni sepse Ai qëndron me ju, dhe do të jetë në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë; do të kthehem tek you.” (Gjoni 14:16-18)

Shpirti i Shenjtë nuk është ndonjë hije e paqartë, as ndonjë fuqi jopersonale. Ai është person i barabartë me Perëndinë At dhe Perëndinë Bir. Ai konsiderohet si personi i tretë i Trinisë. Jezui iu tha apostujve të Tij…

“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.” (Mateu 28:18-20)

Perëndia është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Dhe të gjitha atributet hyjnore që i takojnë Atit dhe Birit i takojnë edhe Shpirtit të Shenjtë. Kur një person lindet sërish duke besuar dhe pranuar Jezu Krishtin (Gjoni 1:12-13; Gjoni 3:3-21), Perëndia banon në atë person përmes Shpirtit të Shenjtë (1 Kor. 3:16). Shpirti i Shenjtë ka intelekt (1 Kor. 2:11), emocion (Rom. 15:30), dhe vullnet (1 Kor. 12:11).

Një nga rolet kryesore të Shpirtit të Shenjtë është të dëshmojë për Jezu Krishtin (Gjoni 15:26, 16:14). Ai u tregon zemrave të njerëzve për të vërtetën e Jezu Krishtit. Shpirti i Shenjtë vepron edhe si mësues i të krishterit (1Kor. 2:9-14). Ai i zbulon atij vullnetin dhe të vërtetën e Perëndisë. Jezui iu tha dishepujve të vet…

“Ngushëlluesi (Ndihmësi), Fryma e Shenjtë, të cilin Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë, dhe do t’ju kujtojë të gjitha gjërat që ju thashë.” (Gjoni 14:26)

“Por, kur të vijë Ai, Fryma e së vërtetës , Ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë; sepse Ai nuk do të flasë nga vetja por do të thotë të gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do të vijnë.” (Gjoni 16:13)

Shpirti i Shenjtë u dha për të banuar brenda gjithë atyre që besojnë në Jezuin, që Ai të prodhojë karakterin e Perëndisë në jetën e besimtarit. Në një mënyrë që nuk e bëjmë dot vetë, Shpirti i Shenjtë rrit në jetën tonë dashurinë, gëzimin, paqen, durimin, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetë-kontrollin (Galatasve 5:22-23). Në vend që të na kërkojë të përpiqemi të jemi të dashur, të duruar, të mirë, Perëndia na kërkon të mbështetemi tek Ai për t’i rritur këto cilësi në jetën tonë. Prandaj të krishterëve iu thuhet të ecin në Shpirtin e Shenjtë (Gal. 5:25) dhe të mbushen me Shpirtin e Shenjtë (Efesianëve 5:18). Dhe Shpirti i Shenjtë i fuqizon të krishterët të përmbushin detyra shërbese që ndihmojnë në rritjen shpirtërore midis të krishterëve (Rom. 12; 1Kor. 12; Efe. 4).

Shpirti i Shenjtë ka edhe një rol për jo të krishterët. Ai i bind zemrat e njerëzve për të vërtetën e Perëndisë për mëkatin, duke vënë në dukje sa mëkatarë jemi dhe sa shumë kemi nevojë për faljen e Perëndisë; për drejtësinë e Jezuit — Ai vdiq në vendin tonë, për mëkatet tona; dhe për gjykimin përfundimtar të Perëndisë mbi botën dhe mbi ata që nuk e njohin Atë si Perëndi (Gjoni 16:8-11). Shpirti i Shenjtë vazhdimisht tërheq vëmendjen e zemrës dhe mendjes sonë, duke na bërë thirrje të pendohemi dhe të kthehemi tek Perëndia për falje dhe një jetë të re.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP