PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Toxic Porn, Toxic Sex: Një vështrim realist ndaj pornografisë

Si të gjesh çlirim nga obsesioni me pornografinë, obsesioni me pornografinë dhe efektet e pornografisë.

nga Gene McConnell

I printueshëm në PDF

Pornografia & dhënia pas saj…seksi jashtë kontekstit

Në një natë të ftohtë e të errët s’ka gjë më të mirë se një zjarr i ndezur në oxhak. Mund ta mbushësh me dru dhe ta shikosh kur digjet i ngrohtë e i këndshëm. Është i sigurt, i ngrohtë dhe romantik. Tani merre po atë zjarr dhe nxirre nga oxhaku (që është ndërtuar për të) dhe lëshoje në mes të dyshemesë në dhomën e ndenjies. Përnjëherë bëhet shkatërrues. Ai mund të djegë gjithë shtëpinë dhe të vrasë çdo njeri që është brenda. Seksi është si ky zjarr. Për sa kohë shprehet në përkushtimin mbrojtës të një marrëdhënieje martesore, është i mrekullueshëm, i ngrohtë dhe romantik. Por pornografia e nxjerr seksin jashtë këtij konteksti.

Pornografia – një biznes i madh

Është një biznes i madh që bën shumë para pa u kujdesur se si. Ata të tregojnë çdo gjë që mendojnë se do të të bëjë të vish të blesh prapë. “Vitin e kaluar u hodhën në treg 11,000 vidio pornografike përkundër 400 filmave të prodhuar nga Hollivudi…[dhe] 70,000 web site-e pornografike.” (New York Times, 20 maj, 2001, “Kapitalistët e zhveshur”)

Imazhet e seksit që jep Pornografia

Një nga fushat më jetësore të mjedisit mendor është një ide e shëndetshme e asaj që ne jemi seksualisht. Nëse këto ide ndoten, një pjesë kyçe e qenies sonë shtrembërohet. Kultura pornografike të thotë se seksi, dashuria dhe intimiteti janë e njëjta gjë. Në pornografi, njerëzit bëjnë seks me njerëz krejt të panjohur – njerëz që sapo i kanë takuar. Rëndësi ka vetëm kënaqësia ime. S’ka rëndësi trupin e kujt po përdor, mjaft ta kem. Pornografia të bën të mendosh se seksi është diçka që mund ta kesh kurdo, kudo, me këdo, pa pasoja.

Çfarë është në të vërtetë seksi

Këndvështrimi i pornografisë është i cekët dhe i marrë. Marrëdhëniet nuk ndërtohem mbi seksin, por mbi përkushtimin, kujdesjen dhe besimin e ndërsjellë. Në këtë kontekst, ashtu si zjarri në oxhak, seksi është i mrekullueshëm. Ajo që e bën seksin vërtet të bukur është qenia me dikë që është i përkushtuar ndaj teje për gjithë jetën, me dikë të cilit mund t’ia japësh veten krejt.

Efektet e Pornografisë: Gënjeshtrat e Pornografisë

Nuk mund ta mësosh të vërtetën për seksin nga pornografia. Ajo nuk interesohet për të vërtetën. Pornografia nuk është bërë për të edukuar, por për të shitur. Prandaj, pornografia thotë çdo gënjeshtër që tërheq dhe mban audiencën. Pornografia lulëzon mbi gënjeshtra – gënjeshtra në lidhje me seksin, femrat, martesën dhe plot të tjera. Le të shikojmë disa nga këto gënjeshtra dhe të shohim se sa rrëmujë mund të t’i bëjnë ato jetën dhe qëndrimet.

  • Gënjeshtra #1 – Femrat janë më pak se njerëzore
    Femrat te revista Playboy quhen “lepurushka,” duke i bërë ato kafshëza të vogla të lezetshme ose “shokë loje,” duke i bërë lodra. Revista Penthouse i quan ato “pets” (kafshë që mbahen në shtëpi). Pornografia shpesh iu referohet femrave si kafshë, lodra, ose pjesë trupi. Disa pornografi tregojnë vetëm trupin ose organet genitale dhe nuk e tregojnë fare fytyrën. Ideja që femrat janë qenie reale njerëzore me mendime dhe emocione minimizohet.
  • Gënjeshtra #2 – Femrat janë një “sport”
    Disa revista sporti kanë një numër “kostume banje”. Kjo sugjeron që femrat janë një lloj sporti. Pornografia e shikon seksin si lojë dhe në lojë duhet të “fitosh,” “mundësh,” ose “shënosh.” Meshkujt që e gëlltisin këtë pikëpamje kanë qejf të flasin për “rezultate” me femrat. Ata fillojnë ta matin burrërinë e tyre me “pikët” që kanë marrë. Çdo femër me të cilën “shënoj” është një trofe më shumë në raft apo një “shenjë” më shumë në rrip për të treguar maskulinitetin tim.
  • Gënjeshtra #3 – Femrat janë pronë
    Ne të gjithë kemi parë fotografi të ndonjë makine elegante me një vajzë “sexy” të shtrirë mbi të. Mesazhi i pashprehur, “Bli njërën dhe do të kesh edhe tjetrën.” Pornografia e fortë e çon këtë edhe më tutje. Ajo i nxjerr femrat si mall në një katalog, duke i ekspozuar sa më shumë që të jetë e mundur që klienti t’i shikojë. Nuk është për t’u çuditur që shumë djem të rinj mendojnë se nëse kanë shpenzuar para duke dalë me një vajzë, ata kanë të drejtë të kenë seks me të. Pornografia thotë se femrat mund të blihen.
  • Gënjeshtra #4 – Vlera e një femre varet nga bukuria e trupit të saj.
    Femrat më pak tërheqëse përqeshen në pornografi. Ato quhen qen, balena, derra ose më keq, thjesht sepse nuk plotësojnë kriteret e pornografisë për femrën e “përsosur”. Pornografia nuk pyet për mendjen apo personalitetin e një femre, por vetëm për trupin e saj.
  • Gënjeshtra #5 – Femrave iu pëlqen përdhunimi
    “Kur ajo thotë jo, do të thotë po” është një skenar tipik pornografie. Femrat paraqiten duke u përdhunuar, duke luftuar dhe duke qëlluar në fillim, por pastaj …. Pornografia i mëson meshkujt të pëlqejnë keqtrajtimin e femrave për argëtim.
  • Gënjeshtra #6 – Femrat duhen degraduar
    Pornografia është shpesh e mbushur me fjalë të urryera ndaj femrave. Femrat tregohen duke u torturuar dhe poshtëruar në njëqind lloj mënyrash të neveritshme dhe prapë duke u lutur për më shumë. A tregon ky lloj trajtimi ndonjë respekt për femrat? Ndonjë dashuri? Apo është urrejtja dhe përçmimi ajo që pornografia promovon ndaj femrave?
  • Gënjeshtra #7 – Fëmijët e vegjël duhet të kryejnë seks
    Një nga gjërat që shiten më shumë në pornografi është imitimi i pornografisë “fëminore”. Vajzat makijohen që të duken si vajza të vogla me flokët bisht, me këpucë vajzash të vogla, duke përqafuar një arush lodër. Mesazhi i fotografive dhe vizatimeve është që seksi i të rriturve me fëmijët është normal. Kjo e bën përdoruesin e pornografisë t’i shikojë fëmijët në mënyrë seksuale.
  • Gënjeshtra #8 – Seksi i paligjshëm është qejf
    Pornografia shpesh përzien brenda edhe elemente të paligjshme ose të rrezikshme për ta bërë seksin më “interesant.” Ajo sugjeron që nuk mund të kënaqesh me seksin nëse ai nuk është anormal, i paligjshëm apo i rrezikshëm.
  • Gënjeshtra #9 – Prostitucioni është magjepsës
    Pornografia e paraqet me ngjyra të bukura prostitucionin. Por në realitet, shumë nga vajzat e portretizuara në materialin pornografik janë vajza që kanë ikur nga shtëpia dhe bëjnë një jetë skllaveje. Shumë kanë qenë të abuzuara seksualisht. Disa janë të infektuara me sëmundje të pashërueshme të transmetueshme seksualisht që janë shumë ngjitëse dhe shpesh vdesin në moshë shumë të re. Shumë prej tyre marrin drogë thjesht për të përballuar jetën.

Efektet e Pornografisë: Përfundimi

Pornografia nxjerr fitime nga jetët e shkatërruara të vajzave të reja dhe kap në rrjetë meshkuj që shpenzojnë shumë kohë DHE pará duke rënë pre e prodhimeve të tyre.

Efektet e Pornografisë: Fuqia e imazheve

Është marrëzi të mendojmë se gjërat që shohim dhe dëgjojmë nuk na ndikojnë. Ne të gjithë e pranojmë se muzika e mirë, filmat e mirë dhe librat e mirë i shtojnë shumë jetës sonë. Ata mund të na qetësojnë, edukojnë, prekin apo frymëzojnë. Me sa duket pra, imazhet e mira na bëjnë mirë. Nuk është e vështirë të besojmë se imazhet e këqia na bëjnë keq.

Imazhet mund të na mbushin mendjen për diçka. Bizneset e dinë se nëse mund të vënë para teje një imazh bindës të produktit të tyre gjatë një momenti shumë emocional, ai do të zhytet në nënvetëdijen tënde. Mjeshtrat e reklamave janë aq të zotë në zanatin e tyre, saqë mund të parashikojnë edhe se sa më shumë nga produkti i tyre do të blesh po qe se e sheh reklamën. Disa herë shikuesit nuk e shohin as emrin e produktit. Reeses Pieces pagoi një çmim shumë të madh thjesht që karamelja e tyre të dilte për disa sekonda në filmin “ET,” dhe shitjet e Reeses Pieces shkuan në qiell. Pse? Sepse emocionet e lidhura me pamjen e atij djalit të vogël që zgjatej drejt alienit iu transferuan imazhit vizual të karameles. Nëse një sekondë pamje e një produkti – edhe kur nuk është qendra e vëmendjes – mund të ndikojë sjelljen e njerëzve, imagjinoni efektin e një filmi që ta mban vëmendjen të tërhequr tek ekrani për një orë e gjysmë me imazhe të hapura seksuale.

Cilat janë efektet e pornografisë tek një burrë?

Çfarë lloj idesh po na fut në kokë pornografia? Nëse vazhdon të futësh plehra në kokë, mjedisi yt mendor do të ndotet kaq shumë saqë jeta jote patjetër do të ketë probleme. Një nga pjesët më jetësore të mjedisit mendor është një ide e shëndetshme e asaj që jemi seksualisht. Nëse këto ide ndoten, një pjesë kritike e qenies sonë shtrembërohet.

Obsesioni me Pornografinë: Tërheqja e Pornografisë

Jo çdo njeri që shikon pornografi bëhet i obseduar pas saj. Disa thjesht largohen me ide toksike për femrat, seksin, martesën dhe fëmijët. Megjithatë disa e kanë atë lloj të çare emocionale që e lejon pornografinë të bëhet obsesion. Kompanitë pornografike s’duan t’ia dinë nëse t’i obsedohesh pas produkteve të tyre. Për biznesin kjo është mrekulli. Dr. Victor Cline e ka ndarë përparimin e obsesionit në disa faza; obsesioni, shkallëzimi, humbja e ndjeshmërisë, dhe veprimi. Për obsesionin pornografik unë kam zbuluar se ka edhe një fazë tjetër – ekspozimi i hershëm. Le t’i shikojmë këto faza:

EKSPOZIMI I HERSHËM
Shumica e burrave që obsedohen nga pornografia e fillojnë herët. Ata shohin pornografi kur janë shumë të vegjël dhe ajo i kap.

OBSESIONI ME PORNOGRAFINË
Ti vazhdon t’i rikthehesh pornografisë. Ajo bëhet një pjesë e rregullt e jetës. Ajo të mbërthen dhe ti nuk e lë dot.

SHKALLËZIMI
Ti kërkon për pornografi më grafike. Ti fillon të përdorësh pornografi që më parë të sillte të vjellët. Tani ajo të kënaq.

HUMBJA E NDJESHMËRISË
Ti fillon të bëhesh i pandjeshëm ndaj imazheve që shikon. Edhe pornografia më grafike nuk të eksiton më. Ti kërkon me dëshpërim të ndjesh të njëjtin elektrizim, por nuk mund ta gjesh më.

VEPRIMI
Kjo është pika kur burrat bëjnë një kërcim fatal dhe fillojnë të praktikojnë imazhet që kanë parë. Disa kalojnë nga imazhet plastike dhe prej letre në botën reale, me njerëz realë, në mënyra shkatërruese.

Obsesioni me Pornografinë: A jam i obseduar?

Nëse shikon ndonjë nga këto modele në jetën tënde, duhet të shkelësh frenat tani. A po merr pornografia gjithmonë e më shumë kontroll në jetën tënde? A e ke të vështirë ta lësh? A i rikthehesh duke kërkuar më shumë?

Obsesioni me Pornografinë: Ç’mund të bëj?

Gjëja e parë që duhet të bësh është të pranosh që ke problem me pornografinë. Më beso, ti nuk je i çuditshëm apo i pazakonshëm nëse është kështu. Miliona burra janë në faza të ndryshme në luftën me pornografinë. Kjo nuk është për t’u habitur. Industria pornografike ka shpenzuar miliarda dollarë duke u përpjekur të të futë në dorë. A është çudi që ia ka arritur qëllimit? Për disa prej jush mund të ketë gjëra në të kaluarën, si abuzime apo ekspozime seksuale, që e bëjnë obsesionin me pornografinë edhe më të vështirë për t’u hequr qafe. Pa ndihmë mund të arrish shumë pak në luftimin e një obsesioni.

Ti ke nevojë për dikë që të të ndihmojë ta thyesh këtë obsesion. Kapërcimi i fshehtësisë është absolutisht jetësor. Pa atë ndoshta nuk do t’i shpëtosh kurrë obsesionit. Kjo nuk do të thotë që duhet ta marrin vesh të gjithë. Zgjidh dikë të cilit mund t’i besosh që këshillon burra/djem që kanë probleme me obsesionin – një pastor, një drejtues të grupit të të rinjve ose një këshilltar. Dikush të cilit mund t’i besosh plotësisht, me të cilin ndihesh i sigurt dhe i cili ka përvojë në fushën e obsesionit nuk do të çuditet.

A ka çlirim nga obsesioni me pornografinë?

Pornografia të fut në kurth me gënjeshtra. Në kontrast me këtë, Perëndia na drejton në të vërtetën. Jezusi tha, “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”1 Ata që e dëgjuan këtë thanë, “Ne s’kemi qenë kurrë skllevër të askujt; si mund të thuash ti: ‘Do të bëheni të lirë?'”2 Dhe Jezusi iu tha se kush bën mëkat është skllav i mëkatit, por “nëse Biri ju çliron do të jeni me të vërtetë të lirë”.3

Mëkati jo vetëm na skllavëron, por edhe na largon nga Perëndia. Dhe askush nuk është i përsosur. Askush nuk është i drejtë në sytë e Perëndisë. Përkundrazi, “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.”4 Ne të gjithë meritojmë gjykimin dhe dënimin e Perëndisë. Megjithatë, Perëndia, që është i shenjtë dhe i dashur, siguroi një zgjidhje për mëkatin tonë, që ne të mos marrim dënimin që meritojmë. Ai e mori vetë ndëshkimin për mëkatin tonë. Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, u torturua dhe vdiq në kryq për mëkatin tonë që ne të jemi të falur. Tri ditë më vonë Jezusi u ngjall nga të vdekurit, ashtu siç e kishte parathënë. Dhe tani Ai të ofron një marrëdhënie me Të. Një nga thëniet më të mahnitshme në Bibël është kjo, “Nëse ne i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë të na i falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”5

Marrëdhënia më e rëndësishme

Pornografia është një zëvendësuese e mjerë e dashurisë së vërtetë dhe intimitetit që të gjithë kërkojmë. Ne jemi krijuar në mënyrë të tillë që nevojat tona më të thella për intimitet të përmbushen në mënyrën më të plotë nga Perëndia vetë. Jezusi tha, “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”6

Në kontrast me errësirën dhe shkatërrimin që sjell pornografia në jetën e njerëzve, Jezusi tha, “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.”7 Perëndia të ofron falje dhe një marrëdhënie at-bir me ty. A do ta pranosh atë? Mund t’ia thuash këtë që tani. Nëse e ke vështirë të gjesh fjalët, ja një lutje që mund të të ndihmojë:

“Zot Jezus, jam i vetëdijshëm për mëkatin tim, dhe e di se edhe ti je. Të lutem më fal dhe më pastro. Falemnderit që vdiqe në kryq për mëkatet e mia. Eja në jetën time dhe më ndihmo të bëhem ashtu si ti e ke pasur gjithmonë ndër mend për mua.”

<
 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

(1) Gjoni 8:31-32 (2) Gjoni 8:33 (3) Gjoni 8:34 (4) Isaia 53:6 (5) 1John 1:9 (6) Gjoni 7:37-38 (7) Gjoni 10:10

TREGOJUA MIQVE:  

TOP