PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Ujëra të turbullta

Çfarë ka zbuluar shkenca për gjenetikën që Darvini nuk e dinte…

nga Carl Wieland

I printueshëm në PDF

Shënim editorial: Shkenca ka zbuluar shumë në këto 100 e ca vjet që nga koha e Darvinit. Vëzhgimet e tij në lidhje me përzgjedhjen natyrore, “mbijetesa e më të fortit”, mbeten të vërteta. Por disa nga përfundimet e Darvinit (afro 150 vjet më parë) bien në kundërshtim me atë që shkenca ka zbuluar në lidhje me ADN-në, gjenetikën dhe trashëgiminë. Artikulli i mëposhtëm shpjegon…

Përzgjedhja natyrore shpesh quhet ‘mbijetesa e më të fortit’ ose, kohët e fundit, ‘riprodhimi i më të fortit’. Shumë njerëz janë të paqartë në lidhje me këtë, duke menduar se provat për përzgjedhjen natyrore janë automatikisht prova për idenë që molekulat kthehen në mikrobe, që pastaj kthehen në miza, manjolia dhe menaxherë firmash.

Çfarë bën përzgjedhja natyrore?

Përzgjedhja natyrore është në të vërtetë një ide shumë logjike. Një kreacionist, kimisti dhe zoologu Eduard Blith (1810-1873), shkroi për të në 1835-7, përpara Darvinit, i cili ka shumë mundësi ta ketë huazuar idenë e tij nga Blith.1 Një organizëm mund të zotërojë një tipar ose karakter të trashëgueshëm, i cili, në një mjedis të dhënë i jep atij organizmi mundësi më të mëdha për t’i transmetuar të gjitha genet e tij në brezin tjetër (krahasuar me të tjerë të llojit të tij që nuk e kanë atë). Me kalimin e brezave ai tipar ose karakter ka mundësi të mira të bëhet më i përhapur në atë popullsi. Një mundësi e përmirësuar për sukses në riprodhim (dmth në pasjen e trashëgimtarëve) mund të arrihet në disa mënyra:

  • Mundësi më të mëdha mbijetese. Dmth organizmi është ‘më i pajisur për të mbijetuar’. Ky është kuptimi i ‘mbijetesa e më të fortit’ me që ra fjala; nuk është fjala patjetër për forcë fizike siç kuptohet zakonisht. Nëse ke më shumë (ose më pak) të ngjarë të mbijetosh, rrjedhimisht ke më shumë (ose më pak) të ngjarë të lësh pasardhës, dhe në këtë mënyrë të transmetosh genet. Për shembull, genet për qime më të gjata i përmirësojnë mundësitë e një kafshe për të mbijetuar në klimë të ftohtë. Genet për ngjyrë të bardhë e përmirësojnë maskimin e një ariu në dëborë (maskimi jo vetëm e ndihmon një kafshë që të mos e hanë; e ndihmon edhe t’i afrohet pa u zbuluar gjahut të vet). Kështu duke pasur më shumë mundësi për të mos ngordhur nga uria, një ari me ngjyrë më të çelët ka më shumë mundësi të jetojë më gjatë dhe ta përcjellë ngjyrën e tij të çelur në brezin tjetër.

  • Mundësi më të mëdha për t’u çiftuar. Nëse femrat e një lloji peshku vazhdimisht preferojnë meshkuj me bishta më të gjatë, atëherë meshkujt me gene për bishta më të gjatë do të kenë më shumë mundësi për t’u riprodhuar, në përgjithësi, kështu që genet e tyre (që përfshijnë edhe ato për bishta të gjatë) kanë më shumë mundësi për t’u kopjuar. Genet për bishta të gjatë (dhe si rrjedhim varieteti bisht-gjatë) do të jenë më të përhapur në atë popullsi.

  • Sukses më të madh në riprodhim. Të mendojmë një lloj bime farat e së cilës përhapen nga era. Nëse ajo ka gene që iu japin farave të saj një formë më të mirë aerodinamike sesa farat e bimëve të tjera të të njëjtit lloj, atëherë genet për atë tipar të veçantë (dhe rrjedhimisht tipari vetë) do të favorizohen, dmth ‘përzgjidhen’ në këtë mënyrë ‘natyrore’, prej nga edhe vjen termi. Në të kundërt, nëse kjo bimë ndodh të jetë në një ishull të vogël, farat që udhëtojnë më larg kanë më shumë mundësi të humbin në det. Kështu që genet më pak aerodinamike do të favorizohen. Duke supozuar se kemi gene edhe për forma më aerodinamike dhe për forma më pak aerodinamike, ky efekt i thjeshtë do të bënte që të gjitha bimët e kësaj popullate të ishullit do të prodhonin në në fund vetëm fara që nuk shkonin larg; genet për fluturim të gjatë do të ishin eliminuar.

Përshtatja

Në mënyrë të tillë, krijesat mund të bëhen më të përshtatura ndaj mjedisit në të cilin gjenden. Ta zëmë se një popullatë bimësh ka një përzierje genesh për gjatësinë e rrënjëve. Ekspozoje atë popullatë brez as brezi ndaj periudhave të përsëritura të një moti shumë të thatë, dhe bimët me më shumë mundësi për të mbijetuar janë ato me rrënjë më të gjata për të arritur shtresat më të thella ujore. Kështu genet për rrënjë më të shkurtra kanë më pak të ngjarë të përcillen (shih në fund majtas). Me kalimin e kohës asnjëra nga këto bimë nuk do të ketë më gene për rrënjë të shkurtra, kështu ato do të jenë të tipit ‘rrënjëgjatë’. Ato tani janë më të përshtatura ndaj kushteve të thata sesa paraardhësit e tyre.

Evolucioni i Darvinit

Kjo përshtatje, në të vërtetë një ‘sinkronizim me mjedisin’, u pa nga Darvini si një proces në thelb krijues dhe pa kufij. Nëse për një kohë të shkurtër mund të dilnin varietete të reja të përshtatura me mjedisin, atëherë në një kohë të mjaftueshme, mund të dilnin një numër pa fund karakteristikash, deri në krijesa të reja. Në këtë mënyrë, besonte ai, u shfaqën mushkëritë në një botë pa mushkëri dhe pendët në një botë pa pendë. Darvini nuk e dinte si funksionon në të vërtetë trashëgimia, por njerëzit sot e dinë. Ai nuk e dinte, për shembull, se ajo që përcillet në riprodhim është në thelb një mori pakosh informacioni (gene), ose udhëzimesh të koduara.

Nuk mund të theksohet aq sa duhet se ajo që bën përzgjedhja natyrore në të vërtetë është humbja/reduktimi i informacionit.

Ajo vetë nuk është në gjendje të krijojë ndonjë gjë të re. Në shembullin e mësipërm, bimët u bënë më të afta për të mbijetuar në kushte thatësire për shkak të eliminimit të disa geneve; dmth ato e humbën një pjesë të informacionit që kishin paraardhësit e tyre. Informacioni për rrënjët më të gjata ishte i pranishëm në popullatën mëmë; përzgjedhja natyrore nuk nxorri apo shtoi ndonjë gjë të re në popullatë.

Çmimi që paguhet për përshtatjen, ose specializimin, është gjithmonë humbja përfundimtare e një pjese të informacionit në atë grup organizmash. Nëse mjedisi do të ndryshonte përsëri dhe do të kthehej siç ishte më parë, në mënyrë që rrënjët më të shkurtra të ishin të vetmet mundësi për mbijetesë, informacioni për to nuk do të ‘rishfaqej’ magjikisht; popullata nuk do të ishte më në gjendje të përshtatej në këtë drejtim. Në mënyrë që të dilte një varietet rrënjëshkurtër për t’u përshtatur me mjedisin duhej filluar edhe një herë me popullatën ‘mëmë’ me gene të përziera në të cilën të ishin të pranishëm të dy llojet e geneve.

Kufizime të brendshme për ndryshueshmëri

Në një proces të tillë humbjeje informacioni, ka automatikisht një kufi ndaj ndryshueshmërisë, sepse pellgjet gjenetike nuk mund të humbin pafundësisht informacionin e tyre.

Kjo duket në mbarështim, që është një version tjetër përzgjedhjeje (në këtë rast, artificiale) – parimi është i njëjti si në përzgjedhjen natyrore. Të marrim kuajt. Njerëzit kanë nxjerrë lloj -lloj varietetesh nga kuajt e egër–kuaj të mëdhenj pune, poni të vegjël dhe kështu me rradhë. Por shpejt arrihen kufijtë, sepse përzgjedhja mund të punojë vetëm me atë që është paraprakisht. Mund të krijohen varietete kuajsh me ngjyrë të bardhë, kafe etj, por sado punë përzgjedhëse të bësh nuk mund të nxjerrësh kurrë një kalë me ngjyrë të gjelbër – informacioni për këtë nuk ekziston në popullatën e kuajve.

Kufizimet në ndryshueshmëri vijnë edhe sepse çdo varietet kuajsh përmban më pak informacion sesa tipi i egër nga i cili rrodhi. Logjika e thjeshtë na konfirmon se nuk mund të fillosh me poni të vegjël për të arritur tek kuajt e mëdhenj Klajdsdejl për tërheqje ngarkesash të rënda–informacioni për këtë nuk është më! Sa më i madh specializimi (ose ‘përshtatja’, në këtë rast ndaj mbarështuesit njerëzor, që përfaqëson ‘mjedisin’), aq më i sigurt mund të jesh se pellgu gjenetik është zvogëluar ose shteruar, dhe aq më pak ndryshim i mëtejshëm është i mundur duke filluar nga ky element.

Këto fakte të thjeshta e logjike e bëjnë të qartë se përzgjedhja natyrore është shumë larg nga procesi krijues i pakufizuar që imagjinoi Darvini.

Teoricienët evolucionistë e dinë këtë, sigurisht. Ata e dinë se duhet të mbështeten në ndonjë proces tjetër për të krijuar informacionin e ri të domosdoshëm, sepse historia e evolucionit ka nevojë për të. Një herë e një kohë, thotë ajo, na ishte një botë me krijesa të gjalla pa mushkëri. Pastaj nuk e dimë se nga doli informacioni për mushkëritë, por pendët ende nuk ekzistonin – më vonë dolën edhe ato. Por përfundimi është se përzgjedhja natyrore, në vetvete, është e pafuqishme për të krijuar. Ajo është një proces zgjedhjeje midis disa gjërave që duhet të ekzistojnë së pari.

Po mutacionet – a tregojnë ata për evolucion?

Meqenëse përzgjedhja natyrore vetëm mund të zgjedhë, evolucionistët e sotëm mbështeten te mutacionet (gabime të rastësishme kopjimi në procesin riprodhues) për të krijuar materialin bazë mbi të cilin mund të punojë përzgjedhja natyrore. Por kjo është çështje më vete. Është demonstruar në mënyrë bindëse se mutacionet e vëzhguara nuk shtojnë informacion, dhe që ideja e mutacionit vihet seriozisht në pozitë të vështirë mbi baza teorike në këtë fushë.2 Një nga gjenetistët më të njohur në botë, Dr Werner Gitt nga Instituti Federal i Fizikës dhe Teknologjisë në Braunschweig, thotë, ‘Nuk ka asnjë ligj natyror të njohur përmes të cilit materia mund të kthehet në informacion, dhe as ka ndonjë proces fizik ose dukuri materiale të njohur që mund ta bëjë këtë.’3 Sfida e tij për ta hedhur poshtë shkencërisht këtë deklaratë ka mbetur pa përgjigjie që nga koha e botimit të saj. Edhe ato mutacione që ndihmojnë në mbijetesë shihen si humbje informacioni, dhe nuk krijojnë materialin e ri aq të dëshiruar mbi të cilin të punojë përzgjedhja natyrore.4

[SHËNIM: Pjesa më e madhe e artikullit të mësipërm u shkrua nga Dr. Carl Wieland, dhe u përdor me leje nga www.AnswersInGenesis.org. Për artikullin e plotë mbi mutacionet, ju lutemi shikoni: www.answersingenesis.org/home/area/re2/chapter5.asp]

Shënim editorial:

Mutacionet sjellin tipare të reja, si psh zhvillimi i rezistencës ndaj antibiotikëve tek bakteret. Por edhe me këto lloj mutacionesh nuk prodhohet informacion i ri gjenetik. Madje edhe tiparet e dobishme, përshtatëse dalin nga humbja e informacionit gjenetik.

Ka patur raste kur sasia e informacionit gjenetik është rritur, por jo vetë informacioni i ADN-së. Me fjalë të tjera, evolucioni ka nevojë për gene të reja, për informacion të ri gjenetik që të shfaqet në një lloj, në mënyrë që të dalin pendët tek zvarranikët, për shembull. Megjithatë, edhe kur genet pësojnë mutacion, ata thjesht rritin sasinë e ADN-së, nuk shtojnë informacion të ri funksional.

Perëndia na thotë se Ai i ka krijuar të gjithë elementet. Zanafilla kapitulli 1 thotë se bimësia dhe pemët u krijuan të gjitha “sipas llojit të tyre”. E njëjta gjë edhe për kafshët. Na thuhet se kafshët e detit, shpendët, gjëja e gjallë, krijesat që zvarriten në tokë dhe bishat e egra u krijuan “sipas llojit të tyre ” (Zan 1:21, 24). Llojet e ndryshme të kafshëve dolën menjëherë, jo gradualisht me kalimin e kohës, dhe nuk evoluan nga një lloj kafshe në një tjetër.

Zanafilla na thotë se Perëndia e krijoi njeriun “në shembëlltyrën e Tij” (Zan 1:26), gjë që nuk ndodhi me bimët ose kafshët. Njeriu ishte i një “lloji” tjetër nga bimët dhe kafshët.

Perëndia dëshiron që secili nga ne të fillojë një marrëdhënie me Të, që ta njohim Perëndinë siç është dhe të lidhemi me Të në një nivel personal. Evolucioni sugjeron që njerëzit janë të lidhur shumë afër me kafshët dhe natyrën. Megjithatë, Perëndia na ka krijuar ne si njerëz që jo vetëm të lidhemi me mjedisin, por të kemi një marrëdhënie me Të. Artikulli Çfarë ke të përbashkët me Perëndinë e diskuton më shumë këtë. Për të ditur si të filloni një marrëdhënie me Perëndinë, ju lutemi shikoni: A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ?

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

(1) Taylor, I., In the Minds of Men (TFE Publishing, Toronto, Canada, pp. 125-133, 1984).
(2) From a Frog to a Prince video, prodhuar nga Keziah, shpërndarë nga Answers in Genesis. Shih edhe Spetner, L.S., Not by chance! (The Judaica Press Inc., New York, 1998).
(3) Gitt, W., In the beginning was information (Christliche Literatur-Verbreitung, Germany, p. 79, 1997).
(4) Wieland, C., “Beetle bloopers,” Creation 19(3):30, 1997.

TREGOJUA MIQVE:  

TOP