PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

A është Kishë e Krishterë

“Kisha e Unifikimit” – apo Federata e Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror?

I printueshëm në PDF

Emri “Kisha e Unifikimit” e bën këtë lëvizje të duket si një kishë e krishterë, por siç do ta zbuloni më poshtë, kjo nuk është e vërtetë. “Shoqata e Shpirtit të Shenjtë për Unifikimin e Krishtërimit Botëror”, ishte emri i plotë i saj deri në vitin 1994, vit kur u pagëzua me emrin “Federata e Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror” (FFPBB).

“PENG” I NJË INTERVISTE

Si i ri, duke ecur për qejfin tënd, ndoshta pa shumë konfidencë për të ardhmen, mund të të ndodhin shumë gjëra.

S’është çudi të të kenë takuar disa të rinj që bëjnë anketime. Në një mënyrë shumë miqësore të bëjnë disa pyetje dhe duan të dëgjojnë pikëpamjet e tua. Intervista me këta persona tërheqës, të moshës tuaj, të jep ndjesinë e të qenit i rëndësishëm. Ata thonë se vijnë nga një organizatë studentore që quhet CARP. CARP janë inicialet Collegiate Association for Research of Principles (Shoqata Studentore për Kërkimin e Parimeve). Pak nga pak bëhesh kurioz. Megjithatë ti nuk e di që CARP është “fasada” e një organizate që rekruton të rinj për Kishën e Unifikimit apo siç quhet ndryshe Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim (FFPBB). Kur përfaqësuesit e tyre të ftojnë në party ku përveç argëtimit ofrohet edhe darka, s’mund të thuash jo. Gjatë mbrëmjes të vjen edhe një ftesë tjetër. Kësaj radhe ftesa është për një seminar në një kamp aty afër. Ç’do të të gjejë të shohësh se ç’bëhet edhe aty? Kështu që i thua po edhe kësaj ftese.

Duket se ishte zgjedhje e mirë! Pjesëmarrësit janë të rinj nga vende të ndryshme. Ditët janë të mbushura me sport, këngë, lojëra, diskutime e mësime. Nuk mungojnë edhe shëtitjet dhe filmat. Diskutimi duket interesant, i thellë dhe të jep një këndvështrim tjetër për jetën.

Dita e parë në kamp (CARP)

Në fillim ke pak dyshime. Nuk janë të paktë sektet, kultet dhe lëvizjet fetare që nuk e zbulojnë identitetin e tyre menjëherë. Megjithatë çlirohesh kur sheh se çdo gjë të jep përshtypjen e një atomosfere të krishterë.

Kështu që vendos të qëndrosh në kamp – në fillim vetëm për 2-3 ditë, më pas edhe për 2-3 javë të tjera. Ndihesh sikur diçka të ka mbetur në fyt dhe fillon e vret mendjen. Duhet të ishe me familjen, me shokët… Ndoshta e dashura jote po të pret, por ke edhe librat që nuk i ke hapur për një kohë të gjatë. Megjithatë dikush përpiqet në një mënyrë miqësore, por prapë shumë këmbëngulëse, të të bindë që do të ishte më mirë të qëndroje edhe pak më gjatë.

Çdo gjë e re të merr me vete. Shokët e tu të rinj, shumë miqësorë e të dashur, i përkasin një lëvizjeje që përpiqet të bashkojë gjithë fetë e ndryshme të botës – asgjë më pak se kaq! Në këtë lëvizje, krishterimi luan një rol mjaft të rëndësishëm në histori.

Në fillim duket mjaft ideale dhe e arsyeshme, por pak nga pak fillon të mësosh për një zotëri të nderuar, San Mjang Mun, dhe të lexosh librin e tij “Parimi Hyjnor”. Ta shikosh atë në filma si besnikun kryesor të bashkëpunëtorëve të panumërt fetarë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota, që ndjekin konferencat dhe seminaret e organizuara nga kjo lëvizje.

Pak nga pak, kupton se diçka shumë e madhe do të ndodhë në botë dhe ti duhet të jesh pjesë e saj. Por mbi të gjtha, kjo është ajo që gjithmonë ke dëshiruar, njerëz të panumërt që së bashku përpiqen për një botë më të mirë. Në njëfarë mënyre, kjo është ajo me të cilën do të të prezantojnë.

100% Vullnetar

Pasi ke patur një kohë shumë të bukur në kamp, punon me një skuadër si vullnetar, duke i dhënë të gjitha paratë për këtë çështje të madhe e të rëndësishme për lëvizjen. Do të ishe me fat t’i bashkoheshe një ekuipazhi peshkimi që punon për lëvizjen, sepse do të merreshe shumë me kapjen dhe përpunimin e peshkut – përkushtim i devotshëm dhe komplet bujar për kauzën e lëvizjes.

Mund të përfundosh edhe si anëtar i një skuadre që ngre fonde, duke udhëtuar në një furgon e duke shitur lule dhe sende relike, ose thjesht duke lypur para buzë autostradave e rrugicave. Punon ditë e natë; vetëm disa orë gjumë; vetëm pak ushqim dhe rrallëherë gjen mundësi për të pushuar. Në fakt, edhe kaq është shumë. Ndihesh se po braktis të tjerët po të mos bësh të pamundurën. Gjithë kohën je i lodhur dhe, ndërsa koha shkon, nuk je në gjendje të mendosh për veten. Je pothuaj i hipnotizuar nga detyra që të është ngarkuar, nga pranimi dhe aprovimi i të tjerëve.

Edhe kur gjen kohë të mendosh, psh: kur të del gjumi në mesnatë ndërsa shokët e tu flenë, çdo gjë të duket e çuditshme dhe aspak reale. Nuk sheh ndonjë mënyrë për t’u larguar. Nëse një nga shokët e tu të skuadrës do që të kthehet në shtëpi, ti i rreh shpatullat dhe e bind të qëndrojë. Madje përgjon nëse ai po mendon ndonjë pistë të mundshme largimi dhe e bën objekt presioni që të kthehet prapë në “zinxhirin e skuadrës”.

Familje e braktisur

Mbasi ke marrë vendimin për t’u bashkuar me ta, gjithçka tjetër është e thjeshtë. Të drejtojnë aty ku nuk do të doje të shkoje, por në fund mendon se kjo është ajo që do, – nëse ka kuptim të flasësh për “dëshira” në këtë fazë ku ndodhesh. Kështu që ty të merr turma, megjithatë je plotësisht i kënaqur. Mbi gjithçka, pasuesit janë në betejë për të fituar botën për të nderuarin Mun dhe “Parimin e tij Hyjnor”, prandaj mund të humbasin edhe shpirtrat e tyre.

Është e vërtetë që dërgon letra, ndoshta edhe i telefonon familjes, por qëndron i heshtur në lidhje me “çështjen”, duke mos u shprehur qartë, në mënyrë që të mos alarmosh familjen, por edhe veten. Përpiqesh të fshish çdo dyshim. Nëse vjen nga një traditë e krishterë, shumë nga mendimet dhe pikëpamjet e kësaj lëvizjeje nuk të duken të drejta, megjithëse shokët e tu përpiqen të largojnë çdo dyshim.

FAMILJA E RE

Të rinjtë, natyrisht që harxhojnë mjaft kohë dhe energji për të gjetur bashkëshortin apo bashkëshorten, e më pas të martohen. Por, në Kishën e Unifikimit nuk ke pse të lodhesh fare, sepse është Rev. Mun ai që vendos se kush do të jetë bashkëshortja jote.

Është shumë e rëndësishme të martohesh me një partner të zgjedhur nga Rev. Mun ose kolegët e tij, sepse këto martesa të sajuara sigurojnë hyrjen në “familjen e shenjtë”.

Rev. Mun zgjedh çiftet e ardhshëm dhe vetëm në ndonjë rast tepër të veçantë respektohet zgjedhja që partnerët kishin bërë para se të përfshiheshin në Kishën e Unifikimit. Pas zgjedhjes, çifteve u jepet e drejta të kalojnë një kohë të shkurtër reflektimi dhe, nëse janë dakord me personin që u ka rënë për pjesë, përulen para Rev. Mun në shenjë pranimi.

Dasma është e shoqëruar me ceremoninë e verës së shenjtë ku qindra çifte të martuarish pijnë verë të përzier me gjakun e Rev. Mun (imitim i darkës së Zotit) dhe spërkaten me ujë (imitim i pagëzimit). Në fund të dasmës zhvillohet ceremonia e shlyerjes së fajit ku Djalli nxirret i rrahur jashtë trupit. Kjo ndodh kur çiftet rrahin njeri-tjetrin tri herë duke u goditur me shkop. Pas gjithë kësaj, shpesh pas një periudhe të gjatë, fillon një ceremoni tre ditore si prezantim i detyrueshëm me martesën dhe marrëdhëniet martesore (seksuale). Gjithë kjo do të thotë se tani janë adoptuar në familjen e Rev. Mun dhe ata, dhe fëmijët e tyre do të gëzojnë të ashtuquajturën familje pa mëkat.

Pasi janë martuar, janë gati të shkojnë në çdo vend të botës, pavarësisht nga nevojat që mund të kenë fëmijët e tyre. Gjithë pasuesit janë të preokupuar me çështjet e lëvizjes dhe nuk kanë kohë për t’u marrë me jetën private.

SI LINDI KISHA E UNIFIKIMIT

Themeluesi i saj, Jang Mjang Mun (që më vonë e quajti veten San Mjang Mun) lindi në vitin 1920 në provincën e Pjungan Buk-do, aty ku gjendet sot Koreja e Veriut. Muni u rrit në një familje presbiteriane. Megjithatë, pavarësisht edukimit të tij të krishterë, ai zhvilloi një interes për spiritizmin që herët në jetën e tij. Nga jeta e Munit është e qartë se kërkimi i tij në botën shpirtërore vjen nga kjo përfshirje në spiritizëm, e cila do të përcaktojë rrugën për “zbulesat” e mëtejshme, si p.sh “zbulesa” që ai ka marrë në mëngjesin e Pashkës në vitin 1936, kur ishte ende adoleshent. Sipas tij, gjatë këtij takimi Jezusi i ka zbuluar se ai ishte i destinuar të përmbushte një mision të madh, në të cilin Jezusi do të punonte me të.

Disa të tjerë deklarojnë se Jezusi i tha Munit se ai (Muni) do të ishte “plotësuesi” i shpëtimit të njerëzimit, “Shpëtimtari, Zoti i Ardhjes së dytë të Mesisë” – një deklaratë të tillë e ka bërë dhe vetë Muni. (Today’s World, Shtator 1992, fq. 20-21).

Përfshirja e tij në misticizëm duket qartë në bashkimin rreth një dekadë më vonë me një grup në Korenë e Veriut, i cili ishte shumë i përfshirë në zbulesat mistike dhe në përgatitjet për ardhjen e afërt të mesisë së ri. Ata besonin se Koreja ishte Jeruzalemi i ri dhe se mesia i ri do të lindte në Kore. Me sa duket, kjo gjë la përshtypje tek Muni, i cili më vonë i futi këto elemente në teologjinë e tij dhe në librin “Parimi Hyjnor”.

Përfshirja e Munit me spiritizmin është e dukshme edhe sot, ndërsa ai në mënyrë të vazhdueshme merr zbulesa të reja, praktikon një lloj udhëtimi shpirtëror gjatë të cilit ai thotë se e projekton vetveten në dimensionin shpirtëror dhe deklaron të jetë ‘ekspert’ në botën shpirtërore”. (James Bjornstad, The Moon Is Not The Son, fq. 30).

Amerika

Një moment tjetër që duhet të përmendentet në punën e Munit është 1 janari i vitit 1972 kur ai deklaroi se iu shfaq sërish Zoti dhe i tha të shkonte në Amerikë. Bazuar në këtë, kisha e Unifikimit bleu një pronë në Territaun, në Nju Jork, duke vendosur kështu një bazë aktiviteti në SHBA.

Zhvillime të kohëve të fundit

Më 1 maj 1994, u festua në Seul 40-vjetori i themelimit të Shoqatës së Shpirtit të Shenjtë për Unifikimin e Krishtërimit Botëror. Sipas Munit, kjo ngjarje përfaqësonte arritjen në një fazë thelbësore për historinë e lëvizjes, gjë që e lejoi atë të deklaronte përfundimin e “ciklit” të Kishës së Unifikimit si e tillë. Pastaj Muni inauguroi Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim (FFPBB), e cila përbëhej nga të gjitha organizatat që kishte krijuar Muni.

SYNIMET PER TE ARDHMEN

Një organizatë e re u themelua në 6 shkurt 1999 në Seul: Federata Ndërkombëtare Ndërfetare për Paqe Botërore (FNNPB). Misioni i saj është “të zbatojë një sistem, i cili sjell urtësinë më të lartë fetare në tavolinën ku diskutohen çështjet më serioze dhe urgjente të botës…duke krijuar në këshill udhëheqësish fetarë brenda strukturës së Kombeve të Bashkuara“. Rev. Mun e sheh FNNPB si organizmin që do të bëjë fushatë për të rikrijuar OKB-në si një institucion të vërtetë me dy dhoma. Që nga viti 1999, FNNPB-ja ka sponsorizuar Konferencat ‘Hun Dok Hae’ (Mbledhjet për Lexim e Mësim) për akademikë të ftuar, udhëheqës dhe politikanë fetarë të përkushtuar për të rikonsideruar mendimet dhe karrierën e Rev. Mun. Në 15 qershor 1999, Çung Huan Kuak u bë presidenti i FNNPB-së.

PRINDËRIT E “VËRTETË”

Më 24 gusht 1992, Rev. Mun përfundoi kursin e tij 40-vjeçar. Në një takim me 1000 drejtues botërorë në Manifestimin Botëror të Kulturës dhe Sportit, Rev. Mun deklaroi se ai dhe gruaja e tij janë Mesia dhe Prindërit e Vërtetë të të gjithë njerëzimit. Kjo shënon fillimin e Kohës së Plotësimit të Testamentit. Zonja Mun dha këtë përshkrim për kuptimin e Mesisë dhe Prindërve të Vërtetë: “Zonja dhe Zotërinj, çfarë është Mesia? Mesia janë Prindërit e Vërtetë të njerëzimit. Plani origjinal i Zotit ishte të vendoste Adamin dhe Evën e përsosur si stërgjyshët e njerëzimit. Megjithatë, Satani e dhunoi këtë model të përkryer dhe Zoti që atëherë ka qenë duke punuar për shfaqjen e modelit të përkryer të Prindërve të Vërtetë, përmes të cilëve i gjithë njerëzimi mund të restaurohet. Duke qenë vetë ne babai dhe nëna e vërtetë, duhet të mposhtim Satanin, të lirojmë njerëzimin dhe të ndërtojmë Mbretërinë e Qiellit në tokë. Duke qenë bijtë dhe bijat e Zotit ne duhet të trashëgojmë dashurinë e Zotit, jetën dhe familjen. Për më tepër ne duhet gjithashtu të trashëgojmë dashurinë, jetën dhe familjen e Prindërve të Vërtetë. Atëherë ne do të kemi arritur unitet midis qiellit dhe tokës, vertikales dhe horizontales dhe midis mendjes dhe trupit. Kjo do të jetë pika e nisjes për botën e përjetshme të paqes”.

MUNI NUK NGJAN ME MESINË

Jezusi nuk tha ndonjëherë se ai ishte pjesërisht rruga, e vërteta dhe jeta. Ai nuk la vend për të tjerë të vazhdonin apo plotësonin misionin e Tij. Jezusi u shpreh i sigurt, duke thënë: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje” (Gjon 14:6). Ai nuk tha nga kryqi: “Prisni për ‘plotësuesin'”. Ai tha: “U krye !” (Gjoni 19:30).

Ai nuk premtoi se do të dërgonte ndonjë tjetër për ne, por tha shumë qartë: “Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju”. (Gjoni 14:3)

Në kontrast të plotë me mësimet e Mun, Jezusi thotë: “Atëherë, nëse dikush do t’ju thotë: “Ja, Krishti është këtu!”ose “Është atje”, mos e besoni. Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit. (Marku 13:21-22, 26-27)

Mun dhe pasuesit e tij mendojnë se Muni është Krishti i rikthyer, por fjalët që ëngjëjt iu thanë apostujve kur u mor Krishti në qiell janë këto: “…Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell”. (Vep. 1:11)

Nëse doni të shqyrtoni pohimet e Jezusit për Veten klikoni këtu. Nëse keni pyetje në lidhje me përmbajtjen e artikullit, ju lutemi na kontaktoni.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:  

TOP