PËLQEJ:  
TREGOJUA MIQVE:  

Pse të zgjedhim Perëndinë e Biblës?

Njerëzve iu pëlqen të kenë lirinë të zgjedhin “Perëndinë” e tyre. Pse të zgjedhësh Perëndinë që zbulohet në Bibël?

I printueshëm në PDF

Shumë prej nesh kanë në mendje Perëndinë “ideal”. Ndoshta ne mendojmë se Perëndia duhet të jetë në gjendje të afrohet me ne, të kujdeset për ne. Cilësitë e mëposhtme janë pak një shumë ato që Bibla na thotë për Perëndinë…

#1: Një Perëndi që është më i madh se ne

Njerëzimi ka bërë përparime të mëdha vitet e fundit. Tani ne jetojmë më gjatë se stërgjyshërit tanë, fluturojmë mbi shpejtësinë e zërit dhe e kemi gjithë botën në një tastierë kompjuteri. Por, ndërsa përparojmë në disa drejtime, duket se në disa të tjera praparojmë. Ja shikoni:

  • Që nga 1960 ka ndodhur një rritje prej 560% e krimit të dhunshëm.1
  • Rastet e divorcit janë trefishuar.2
  • Rastet e vetëvrasjeve te adoleshentët janë rritur në 200%.3
  • 6,000 njerëz në të gjithë botën infektohen me HIV çdo ditë.4
  • Rreth 750 milion njerëz janë të uritur kronikë.5

Për fat të keq, lista vazhdon. Për shembull, dekadat e fundit kemi parë një numër rekord luftrash në botë. Nëse njeriu është Perëndi, nuk duket se po e bën mirë punën. Megjithë teknologjinë e avancuar, ne ende kemi krime, divorce, luftë raciale dhe uri. Prandaj, a nuk do të ishte më mirë të kishim një Perëndi që është më i madh se njerëzimi, një Perëndi që ka aftësinë të na çojë përtej asaj ku mund të shkojmë vetë?

Perëndia i përshkruar në Bibël është një Perëndi i tillë. Ai është Krijuesi i universit-një qenie transendente, e gjithëdijshme, e plotfuqishme që ka ekzistuar gjithmonë dhe është Ai që i mban të gjitha gjërat. Ai thotë, “Unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.5 Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.”7 “Unë jam…Ai që është, dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”8

#2: Një Perëndi që mund të njihet personalisht

Kohët e fundit është bërë e modës që Perëndia të mendohet si një lloj fushe force që ekziston në të gjitha gjërat. Por edhe pse të gjitha gjërat ekzistojnë dhe mbahen në çdo moment nga fuqia e Perëndisë, Perëndia duhet të jetë më shumë se kaq. Për shembull, a nuk do të ishte më mirë të kishe një Perëndi që është më shumë si një prind, vëlla ose motër apo mik? Dikush me të cilin të flisje, të ndaje problemet, të merrje drejtim, të përjetoje gjërat së bashku. Çfarë të veçante ka një Perëndi që është jopersonal, i panjohshëm, i largët?

Pavarësisht nga madhështia dhe “të qenit ndryshe”, Perëndia i Biblës është i njohshëm dhe dëshiron të njihet. Megjithëse Perëndia është i padukshëm, ne mund të bisedojmë me Të, t’i bëjmë pyetje dhe të mbajmë vesh, dhe Ai na jep përgjigjie dhe udhëzime për jetën. Ai shpesh na jep përgjigjie dhe drejtim përmes Fjalës së Tij, Biblës, të cilën shumë e kanë quajtur letra e dashur e Perëndisë për ne.

Ne mund të kemi me Perëndinë të njëjtin lloj marrëdhënieje që kemi me një anëtar familjeje. Madje ata që e njohin Atë, Ai i quan fëmijët e Tij, nuse dhe miq. Prandaj, pra, Perëndia i Biblës mund të jetë çdo gjë, veç jopersonal jo. Ai zemërohet, trishtohet, tregon mëshirë, mirësi dhe falje dhe është një qenie vërtet emocionale. Ai gjithashtu ka intelekt absolut, personalitet dhe humor. Ne mund të njohim më tepër se fakte për Të, ne mund ta njohim Atë vetë si mikun tonë më të mirë. “Kjo është jeta e përjetshme: të të njohin Ty të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti e dërgove.”9

#3: Një Perëndi që e njeh përvojën njerëzore

Disa e mendojnë Perëndinë si të largët e indiferent, që e krijoi universin dhe pastaj e la të punonte vetë. A nuk do të ishte më mirë të kishim një Perëndi që do të ishte i përfshirë në univers dhe sidomos në çfarë bëhet në Tokë? Po në lidhje me vështirësitë, përgjegjësitë dhe sfidat që ndeshim si qenie njerëzore? A s’do të ishte më mirë të kishim një Perëndi që mund t’i kuptonte ato, një Perëndi që në njëfarë mënyre e di si është të jetosh në këtë botë të ashpër që Ai e ka lejuar të ekzistojë?

Perëndia i Biblës e di ç’do të thotë të jesh njëri nga ne. Jezu Krishti nuk ishte vetëm Biri i Perëndisë; Ai ishte vetë Perëndia që mori formë dhe natyrë njerëzore. “Në fillim ishte Fjala [Jezusi], dhe Fjala [Jezusi] ishte me Perëndinë, dhe Fjala [Jezusi] ishte Perëndi. Fjala u bë mish [njerëzor] dhe banoi ndër ne.”10

Për Birin e Perëndisë, Bibla thotë se Biri është ” shkëlqimi i lavdisë së Tij dhe vula e qenies së Tij [Perëndisë].”11 Ai është “shembëlltyra e dukshme e Perëndisë së padukshëm.”12 Ai është “Perëndi i fuqishëm,At i përjetshëm”13 që “u bë i ngjashëm me njerëzit”14 dhe “u gjend nga pamja e jashtme porsi njeri.”14 Në Të “banon e gjithë plotësia e Perëndisë.”15 Dhe “në Të u krijuan të gjitha gjërat: ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, të dukshme dhe të padukshme.”16

Jezusi tha për veten e Tij, “Kush më ka parë mua, ka parë Atin.”17 “Kush më sheh mua, sheh Atë që më dërgoi.”18 Dhe, “Unë dhe Ati jemi një.”19

Megjithëse plotësisht Perëndi, Jezusi ishte edhe plotësisht njeri. Ai pati uri, fjeti, qau, hëngri. Ai përjetoi çdo lloj vështirësie që ne përjetojmë, madje më tepër. Prandaj Bibla thotë se Ai nuk është dikush “që nuk mund t’i vijë keq për mëkatet tona.”20 Ai “u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.”20

Prandaj Perëndia i Biblës nuk u veçua nga dhimbja, vuajtja dhe e keqja në botën tonë. Ai e përjetoi jetën ashtu siç e përjetojmë ne. Madje Ai jetoi një jetë mjaft të përulur në kohën që ishte këtu. Ai lindi në një shtëpi të varfër, nuk ishte tërheqës nga pamja, ndeshi paragjykim dhe urrejtje, u keqkuptua nga familja dhe miqtë dhe u ekzekutua padrejtësisht.

#4: Një Perëndi që vërtet merakoset për ne

Shumica prej nesh dëshirojmë të na duan dhe të na pranojnë. Ne duam që njerëzit të na duan vërtet, jo vetëm me fjalë. Ne duam që shqetësimi dhe dashuria e tyre për ne të provohet nga veprimet e tyre. A është kjo e vërtetë për Perëndinë? Dmth, a nuk do të ishte ideale sikur Perëndia vërtet të na donte dhe të na jepte edhe prova të qarta të asaj dashurie?

Perëndia i Biblës vërtet na do. Ai e ka thënë këtë me fjalë. Bibla thotë madje se Perëndia është dashuri.21 Por fjalët nuk e tregojnë dashurinë dhe merakun aq sa veprimet. Këtu Perëndia i Biblës është unik dhe mahnitës. Ai vërtet na tregoi sa na do…

“Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet Tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që Ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona.”22 “Perëndia aq e deshi botën saqë e dha Birin e Tij të vetëmlindurin që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”23

Perëndia i Biblës thotë se është një qenie e shenjtë dhe e përsosur. “Perëndia është dritë dhe në Të s’ka kurrfarë errësire.”24 Si i tillë Ai dëshiron marrëdhënie që janë të pastra dhe të dlira. Prandaj, Perëndia dërgoi Birin e Tij për të bërë të mundur që ne të jemi të pastër para Perëndisë. Jezusi jetoi një jetë të përsosur morale dhe u fshikullua, u torturua dhe u kryqëzua si “pagesë” për gjithë gjërat e këqia që ne kemi thënë, bërë apo menduar (që quhen “mëkate”). Në një kuptim Ai vdiq në vendin tonë, për hatrin tonë–“Perëndia bëri të jetë mëkat për ne Ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.”25 “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.”26

Perëndia na deshi aq sa dërgoi Birin e Tij të vdesë në vendin tonë, për mëkatet tona. Kaq shumë donte Ai të na njihte. Ai ishte i gatshëm të bënte ç’ishte e nevojshme…shlyerja e mëkateve tona ishte e nevojshme. Tani ne mund të jemi plotësisht të falur dhe të fillojmë një marrëdhënie të papenguar me Perëndinë.

#5: Një Perëndi që i ka gjërat plotësisht në kontroll

Gjithë këto gjëra të këqia në botë provojnë se nuk ekziston një Perëndi i plotfuqishëm, apo jo? Jo patjetër. Edhe një Perëndi i përsosur mund të lejojë gjëra të këqia të ndodhin për njëfarë kohe si pjesë e një plani më të lartë. Perëndia mund ta dijë plotësisht se ç’po ndodh gjatë gjithë kohës dhe vetëm të lejojë aq sa do Ai si pjesë e planit të Tij të madh.

Perëndia i Biblës është Ai Perëndi. Ai thotë se asgjë në botë nuk ndodh pa lejen e Tij. Ai është krejtësisht sovran mbi të gjitha gjërat. “Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?”27 “Unë shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që nuk janë bërë duke thënë: ‘Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen.'”28 “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së Tij për çdo brez.”29 “Vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.”30

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ndodh është diçka që i pëlqen Perëndisë. Për shembull, Jezusi i mësoi dishepujt të luten; në atë lutje fraza kyçe është : “U bëftë vullneti Yt në tokë si në qiell.”31 Vullneti moral i Perëndisë bëhet gjithmonë në qiell, por jo në tokë. Megjithëse Perëndia është sovran mbi të gjitha gjërat, Atij nuk i pëlqen çdo gjë që ndodh në tokë. Por, për arsye të caktuara Ai i lejon ato të ndodhin (vullneti i Tij lejues), ndoshta si pjesë e lirisë së zgjedhjes që kemi si njerëz.

Por Perëndia i Biblës ka një plan, dhe Ai nuk do të rrijë rehat “derisa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së Tij.”32 Cili është plani i Tij? Plani përfundimtar i Perëndisë është të banojë me njerëzit në një mjedis krejt të ndryshëm nga ai që kemi aktualisht. Në lidhje me atë Perëndia thotë, “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe Ai do të banojë me ta; dhe ata do të jenë populli i Tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. Unë i bëj të gjitha gjërat të reja!”33

#6: Një Perëndi që i jep kuptim dhe qëllim jetës

Nëse mendoni për një detyrë ose projekt të rëndësishëm që keni plotësuar, ndoshta e kujtoni ende sensin e qëllimit që patët kur e mbaruat. A doni të njëjtën gjë për gjithë jetën tuaj? Që ajo të ketë vlerë? A ekziston një Perëndi që e krijoi jetën tënde me një qëllim dhe mund të të drejtojë ty ta përjetosh atë qëllim?

Po. Perëndia i Biblës mundet. Ai premton që mund t’iu japë jetëve tona kuptim dhe qëllim. Përmes një marrëdhënieje me Të ne mund të bëjmë “veprat e mira që Perëndia i përgatiti që më parë që ne të ecim në to.”34 Ne mund të sjellim ndryshim pozititv edhe në jetët e të tjerëve. Ne mund të bëhemi pjesë e planit të Tij.

Perëndia i Biblës thotë se kur kemi një miqësi të ngushtë me Të, Ai mund të na i drejtojë hapat në gjërat që i pëlqejnë Atij dhe në gjërat që janë më mirë për ne gjithmonë. “Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe Ai do të drejtojë shtigjet e tua.”35 Kjo nuk do të thotë se jeta bëhet e krejt e mrekullueshme. Ende ka sëmundje, probleme në jetë dhe dështime. Jeta nuk bëhet e përsosur, por më e pasur. Perëndia thotë se kur njohim Atë kemi “dashuri, gëzim, paqe, durim, mirëdashje, mirësi, besnikëri, butësi dhe vetkontrolll.”36

#7: Një Perëndi që na ofron përmbushje të vërtetë

Ashtu siç kemi nevojë për dashuri dhe pranim, kemi edhe për përmbushje në jetë. Duket sikur brenda nesh kemi diçka si etje që kërkon të shuhet. Por kjo etje-megjithëse përpiqemi-nuk shuhet nga gjëra të tilla si paraja, pasuria, romanca apo qejfi. Prandaj, do të ishte shumë mirë nëse do të ekzistonte një Perëndi që e shuan atë “etje,” një Perëndi prania e të Cilit sjell një nivel të qëndrueshëm përmbushjeje në jetë?

Perëndia i Biblës ofron jetën më përmbushëse që ekziston. Jezusi tha,”Unë kam ardhur që ata të kenë jetë dhe ta kenë atë me bollëk.”37 Ai gjithashtu tha, “Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, dhe ai që beson në mua nuk do të ketë kurrë etje.”38 Kështu pra, Perëndia i Biblës premton ta shuajë atë etje të brendshme që duket se nuk mund ta shuajë asgjë tjetër. (Dhe Ai ndoshta na ka krijuar në mënyrë të tillë që kjo të jetë e vërtetë.)

Nëse do të të duhej të zgjidhje një Perëndi për jetën tënde, si do të ishte Ai?

Perëndia Ideal

Sipas Biblës ka vetëm një Perëndi të vërtetë, vetëm një Krijues të të gjitha gjërave. Por Ai Perëndi është një Perëndi ideal. Ne nuk mund të krijojmë një Perëndi tjetër, por edhe nëse do të mundeshim, pse do të na duhej? Perëndia i vërtetë është Perëndia më i mirë.

Ky artikull vetëm sa ka filluar të përshkruajë si është Perëndia i Biblës. Nëse doni ta eksploroni më shumë këtë temë, mund të lexoni librin e Biblës të titulluar Ungjilli sipas Gjonit. Nëse ju e kërkoni me gjithë zemër, dhe nëse Perëndia i Biblës është real, a nuk ka kuptim që Ai t’ju zbulohet juve? Ai thotë, “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.”39 “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokisni dhe do t’ju hapet.”40

A po pyesni veten si mund ta njihni këtë Perëndi ideal? Pak a shumë, të fillosh një marrëdhënie me Perëndinë është si të fillosh një martesë. Duhet të ketë një vendim për të hyrë në këtë marrëdhënie. Në mënyrë të ngjashme, me Perëndinë, është sikur t’i thuash Atij, dhe ta kesh me gjithë mend, “po.”

Jezus Krishti vdiq për mëkatet tona, u ngjall së vdekuri tri ditë më vonë dhe është i gjallë sot e kësaj dite. Ai tani na ofron ne jetë të re nëse i besojmë Atij për faljen e mëkateve tona: “Ky, pra, është vullneti i Atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në Të të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall Atë në ditën e fundit.”41

Perëndia nuk mban anë. Të gjithë njerëzit janë krijuar në imazhin e Tij. Kështu, familja e Tij e përjetshme përshkruhet si “një turmë [e] madhe që askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve.”42 Dhe asnjë mëkat në jetën tënde nuk të pengon të fillosh një marrëdhënie me Të. Ai e zgjidhi çështjen e mëkatit në kryq, ku Jezusi u kryqëzua. Tani është çështje e besimit në vdekjen e Tij për ty, dhe jo çfarë ke bërë në të shkuarën.

Pasi fillon një marrëdhënie me Perëndinë, ajo marrëdhënie zgjat përjetë. Por gjithashtu është një marrëdhënie e gjallë e përditshme, në këtë jetë, një marrëdhënie që rritet me kalimin e kohës.

A e ndjen zërin e Perëndisë në zemrën tënde? Jezusi tha, “Ja unë qëndroj tek dera dhe trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai.”43 Më poshtë është një lutje e sugjeruar (s’ka rëndësi fjalët por sinqeriteti i zemrës):

Perëndi, e di se kam mëkatuar. Falemnderit që i ke marrë mëkatet e mia mbi veten Tënde në personin e Krishtit në kryq. Dua të pranoj faljen Tënde dhe të filloj një marrëdhënie me ty. Eja në jetën time si Shpëtimtari dhe Zoti im, për të qenë Perëndia im që nga kjo ditë e tutje dhe më bëj atë person që Ti dëshiron të jem.

Nëse doni të dini më shumë si të keni një marrëdhënie me Perëndinë, shihni A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ? Nëse e keni marrë një vendim të tillë ne do të dëshironim ta dinim. Ju lutemi na kontaktoni. Gjithashtu na shkruani me email nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me çështjet e ngritura në këtë artikull, doni më tepër informacion në lidhje me këtë apo doni të lidheni me njerëz në qendrën tuaj studentore për të folur për këtë.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

(1) Federal Bureau of Investigation statistika. (2) National Center for Health statistika. (3) National Center for Health statistika. (4) “Speaking Of: World Health,” Los Angeles Times, May 2, 1995, H2; citing “The World Health Report 1995, Bridging the Gaps.” (5) Los Angeles Times, 15 Dhjetor, 1992. (6) Isaia 45:12 (7) Isaia 46:9 (8) Zbulesa 1:8 (9) Gjoni 17:3 (10) Gjoni 1:1, 14 (11) Hebrenjve 1:3 (12) Kolosianëve 1:15 (13) Isaiah 9:6 (14) Filipianëve 2:8 (15) Kolosianëve 2:9 (16) Kolosianëve 1:16 (17) Gjoni 14:9 (18) Gjoni 12:45 (19) Gjoni 10:30 (20) Hebrenjve 4:15 (21) 1Gjoni 4:8, 16 (22) 1Gjoni 4:9-10 (23) Gjoni 3:16 (24) 1Gjoni 1:5 (25) 2Korintasve 5:21 (26) Isaia 53:6 (27) Vajtimet 3:37 (28) Isaia 46:10 (29) Psalmet 33:11 (30) Fjalët e Urta 19:21 (31) Mateu 6:10 (32) Jeremia 23:20 (33) Zbulesa 21:3-5 (34) Efesianëve 2:10 (35) Fjalët e Urta 3:6 (36) Galatasve 5:22-23 (37) Gjoni 10:10 (38) Gjoni 6:35 (39) Jeremia 29:13 (40) Mateu 7:7 (41) Gjoni 6:40 (42) Zbulesa 7:9 (43) Zbulesa 3:20

TREGOJUA MIQVE:  

TOP